Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Në ditën e Krishtlindjes, DritareTV dhe Rudina Xhunga rikthejnë një histori të rrallë, që i përket jo vetëm Mallakastrës, por vetë ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Një histori që ndodhi në dhjetorin e vitit 1943, në një nga periudhat më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur frika, uria dhe vdekja ishin pjesë e përditshmërisë.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Në fshatrat e Mallakastrës, mbi 200 ushtarë italianë, të braktisur nga lufta dhe të ndjekur nga nazistët gjermanë pas kapitullimit të Italisë, gjetën strehë te shqiptarët. Ata nuk u panë si pushtues, por si njerëz në nevojë, si miq që kërkonin shpëtim. Familjet shqiptare i hapën dyert, i shpërndanë nëpër shtëpi dhe i përfshinë në jetën e përditshme të fshatit.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Aktori i madh Luftar Paja, duke sjellë kujtimet e trashëguara nga babai i tij, dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, rrëfen se ushtarët italianë nuk jetonin të izoluar, por hanin dhe punonin bashkë me fshatarët. Ata ndanin bukën, punën dhe frikën, duke u kthyer gradualisht në pjesë të komunitetit.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Banorët e Gorishovës tregojnë se disa prej ushtarëve “ranë në besë” në familjet shqiptare.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Në shtëpinë e Adriatik Beshajt, tre prej tyre u morën nën mbrojtje, një akt që nuk ishte vetëm detyrim moral, por nder dhe krenari për gjithë fshatin. Besa ishte më e fortë se frika nga nazistët.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Mes ushtarëve ishte edhe një prift italian. Me afrimin e Krishtlindjes, ai ndjeu mallin për vendin, familjen dhe kishën. Në një darkë të shtruar nga babai i Enver Demishajt, i cili e tregon historinë në DritareTV, ku ishin të ftuar prifti, një oficer italian dhe hoxha i fshatit, Isuf Shehu, u hap një bisedë që do të hynte në histori.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Prifti pyeti me drojë se ku mund të kremtonin Krishtlindjet. Kisha dhe tyrbja ishin dy orë larg. Atëherë prifti kërkoi diçka të paimagjinueshme për kohën: nëse kremtimi mund të bëhej në oborrin e xhamisë.

Hoxha i fshatit, një burrë i mençur dhe i ditur, u përgjigj pa hezitim:

“Jo vetëm në oborr, por edhe brenda në xhami. Shtëpia e Zotit është kjo, dhe ne jemi njerëz. Jemi vëllezër.”


Kështu, më 24 dhjetor 1943, ndodhi një nga aktet më të rralla të bashkëjetesës fetare në Evropën e kohës. Krishtlindjet u festuan brenda xhamisë së fshatit, aty ku zakonisht thirrej ezani. Qirinjtë u ndezën, lutjet u thanë dhe njerëzit u mblodhën jo si myslimanë apo të krishterë, por si qenie njerëzore.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Ushtarët italianë kishin disa kërkesa të thjeshta: ëmbëlsirë si në shtëpitë e tyre dhe një dhuratë që t’u kujtonte gratë, nënat dhe fëmijët. Gratë e fshatit përgatitën bakllava, ndërsa me shtiza thurën çorape për secilin prej tyre. Me porosi të priftit, nga Selenica u sollën 12 qirinj të mëdhenj për kremtimin.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Ajo natë u kthye në festë të përbashkët. Gra, burra dhe fëmijë kënduan këngë shqiptare, ndërsa italianët kënduan këngët e tyre. U përgatitën edhe 25 mishra për sofrën e Krishtlindjes. Gëzimi dhe lotët u përzien me frikën e luftës që ende nuk kishte mbaruar.

Nga kjo bashkëjetesë lindi edhe dashuria. Një vajzë e fshatit u dashurua me një ushtar italian. Ata u martuan, lindën fëmijë dhe krijuan një familje që jetoi në harmoni, duke u bërë simbol i një historie që bashkoi dy popuj.

Krishtlindjet në Xhaminë e Gorishovës!

Xhamia ku u festuan Krishtlindjet u shkatërrua në vitin 1967, gjatë fushatës ateiste të regjimit komunist. Gurët e saj u përdorën për të ndërtuar shkollën e fshatit, por kujtesa nuk u shkatërrua kurrë. Historia mbeti e gjallë në rrëfimet e brezave.

82 vite më pas, Rudina Xhunga e risjell këtë histori në DritareTV, jo vetëm si kujtesë historike, por si mesazh për kohët e sotme. Një dëshmi se shqiptarët dinë të dallojnë fenë nga njeriu, armikun nga miku, luftën nga humanizmi.

“Kjo është historia jonë,” thonë banorët. Një histori që dëshmon se shqiptarët janë të mirë, të fisëm dhe njerëzorë.

Gëzuar festat! I rizbulofshim te vetja sërish këto cilësi/ Dritare.net