“M’at anë gardhit asgjë e re” është kjo shprehja që të vjen ndërmend kur përballesh me panoramën e fshatit Zabërzan në Skrapar.
Edhe pse fshati Zabërzan ndodhet rreth 10 kilometra larg nga Çorovoda, banorët jetojnë të shkëputur nga ritmi dhe zhvillimet e qendrës.
20-30 minutat e ngjitjes për në fshat duket sikur kthehen në orë pasi rruga për t'u ngjitur në Zabërzan është në gjendje të keqe, e mbushur me gropa dhe e vështirë për t’u kaluar.
Në këtë fshat, traditat mbahen fort por terreni i thyer dhe largimi i popullsisë e kanë bërë të vështirë jetesën për banorët e Zabërzanit.
Të ndodhur në këto kushte, për këta pak banore që kanë mbetur, ndarja e një gote raki bëhet një formë ngushëllimi për të nesërmen.
Kur përmendet Skrapari nuk ka se si të mos mendosh për rakinë. Kur hyn në Zabërzan, syri të përballet menjëherë me rreshta të pafund vreshtash që shtrihen nëpër lugina. Këto vreshtat nuk janë vetëm një burim ekonomik, por janë pjesë e kulturës dhe traditave të fshatit.
Rakia e Zabërzanit është përtej pijes prodhimi i saj është si një talent apo art që kalon nga brezi në brez.
Kjo raki është mbreti i tavolinës duke u kthyer kështu në një simbol të identitetit dhe mikpritjes së banorëve të Zabërzanit.
Edhe pse në fillim, banorët duken të heshtur ose të rezervuar, qasja e tyre ndryshon pasi te kanë pyetur për të gjithë fisin ndonëse nuk të njohin.
Nuk të lënë të flasësh shumë, të paktën jo pa u ulur menjëherë në tryezë.
Të ngresh gotën lart dhe të thuash Gëzuar ndërsa e shikon çdo njeri në sy do të thotë që sapo je bërë pjesë e një dollie. Në Zabërzan, ngjitja e dollive është një traditë e rëndësishme dhe një shenjë respekti dhe mikpritjeje.
Pjesëmarrësit në tavolinë, sidomos ata që janë të rinj ose mysafirë, pritet të mësojnë këtë ritual për të treguar mirënjohjen e tyre për familjen që po i pret.
Në këtë fshat nuk dëgjon zëra fëmijësh, dielli i zbehtë i vjeshtës ngroh vreshtat gjysmë të vjelura dhe malet e larta.
Takimi me nxënësin e vetëm të shkollës është një pasqyrë e kësaj realiteti.
Shkolla e Zabërzanit, tregon edhe qendrën e fshatit, kjo godinë kryen një shumëllojshmëri funksionesh pasi gjysma e ndërtesës përdoret edhe si ambulanca e fshatit.
Në Zabërzan merr dije vetëm një nxënës.
Pak metra tutje shkollës së Zabërzanit, struket një shtëpi e cila dikur kryente funksionin e një spital partizani. Kjo godinë është një dëshmi e heshtur e kohëve të luftës.
Ky spital i mbuluar nga hijet e historisë, është një monument i gjallë që tregon lidhjen e këtij fshati me luftën.
Nëpër kodrat e gjelbëruara të fshatit, tufa dhish shtegtojnë ngadalë. Nga qumështi i tyre i freskët, banorët përgatisin djathin e butë dhe gjalpin e që mbush tryezën.
Nëse shikon duart e banorëve të Zabërzanit, janë plot gjurmë nga mbledhja e arrave.
Te shtrira në copa çarçafësh arrat thahen në diell për të ruajtur freskinë dhe shijen e arrës.
Arrat e Zabërzanit përdoren si për konsum të përditshëm, ashtu edhe për tregun lokal.
Pas një vakti të bollshëm me mish, ëmbëlsira e Zabërzanit është pekmezi. Pekmezi është një lëng i trashë dhe i ëmbël, i përgatitur nga zierja e gjatë e rrushit, fikut, manit ose shegës.
Në dhomën e ngrohtë, qumështi zien ngadalë mbi zjarr, e zonja e shtëpisë e vështron ekranin e televizorit te vjetër ku luhet filmi “Tomka dhe shokët e tij”.
Në Zabërzan jeta ecën në ritmin e punëve të përditshme, ku banorët mbledhin arrat, mjelin dhitë dhe mundohen të mbajnë gjallë zakonet e hershme të të parëve./ dritare.net