Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Si shkova në shtëpinë e Fan Nolit!

Si shkova në shtëpinë e Fan Nolit!

Nga Rudina Xhunga

Më priste në aeroport që pa gdhirë. Unë vija nga emisioni i darkës e mezi isha zgjuar aq herët dhe nuk përshtatesha dot me gjallërine, me të cilën Nasho Jorgaqi më tregonte ku do të shkonim dhe çfarë na priste.

Po shkonim në Evron greke. Ai këmbëngulte të xhiroja dhe përjetësoja gjithçka kishte parë e dinte nga shqiptarët e asaj toke, në udhëtimet e tij të hershme.

Sa herë e kujtoj atë udhëtim më vjen për të qeshur me një moment. Unë, një shqiptar Athine me kamera dhe Nasho Jorgaqi në hotelin e vetëm të një fshati të panjohur. Kur zbrita nga dhoma, Nasho psherëtiu:

-“Shyqyr. Mendova se kishe vdekur. U vonove shumë.” Ora qe 07:30 e mëngjesit dhe une merakun më të madh sesa takimet, kisha kujdesin për Nashon që po i afrohej të 80-ave.

Çfarë t'i thosha. I thuhej gjë profesorit me tre fletore shënimesh me vete, blloqe me libra telefoni që ishte përpjekur aq shumë të vinte ai moment, duke më bindur se duhej ta bëja atë udhëtim!

Më takoi në ato tre ditë me qindra shqiptarë. I njihte të gjithë, e njihnin të gjithë. Vinin fshehurazi dhe na tregonin shtëpinë ku do të takoheshim në darkë. Ishte surreale. Dukej si film.

-“Duhet kujdes”- thoshte njëri nga ata, që ia ruaj ende numrin e telefonit e mbiemrin. Ai më tregonte sesi kishte qenë mik me Aristidh Kolen dhe ishte i sigurt që e helmuan.

Një histori e mrekullueshme e gjuhës dhe gjakut tonë, 30 mijë shqiptarët e Evros greke

-“Për gjuhën të vrasin këta.”-më tha. Pastaj më tregoi se donte të martohej me shqiptare.

Në fakt Evro greke qe plot me shqiptarë të ardhur pas ‘90. Nuk më ikën nga mendja një çift nga Fieri, me fëmijë të vegjël, që më folën shqip gjithë gëzim kur u takuam, pastaj treguan se të vegjlit e tyre nuk e dinin shqipen. -“Ç’u duhet.”-më thanë.

-“Ndaj të solla.”- më thoshte Nasho, pas çdo takimi me njerëz që kishin lënë pas Shqipërinë. -“T'u themi që u duhet. Se unë me libra nuk ua them dot, si ti me kamera.”

Në darkë, u mblodhëm të gjithë në shtëpinë që na treguan fshehurazi në mëngjes. Aty hëngrëm darkë e folëm shqip. Derisa një çast zonja e shtëpisë u çua dhe mbylli perdet.

-“Tani,”- tha- “do të këndojmë.” Çfarë nate. Ata këndonin shqip dhe qanin. Dhe Nasho qante me ta. Operatori u hutua dhe harroi të xhironte. Ata janë ngulitur në mendjen time, përjetë me perdet e lëshuara mbi dritare që askush të mos dëgjonte e shikonte dhe zërin e shpirtit që i këndonte Atdheut që as e njihnin, as i njihte.

-“Atdheu është Nasho.”- më thanë.

“Ai erdhi dhe na gjeti. Tani të solli dhe ty.”

Të nesërmen ecëm nëpër urën që ndan Evron greke nga Evroja turke. Shkuam në Ibrik Tepe. Ecëm nëpër rrugë pa rrugë, fshatra turq në fund të botës derisa doli para shtëpia që kërkonim. Një gruaje që fliste turqisht me shami në kokë, pashë që i mungonte çdo dhëmb kur hapi gojën të buzeqeshte, ndërsa pa Nasho Jorgaqin. E përqafoi dhe na ftoi brenda. Ajo ishte shtëpia e Fan Nolit. Nasho Jorgaqi më çoi ta njoh.

Ka qenë një nga rrugët me më shumë të papritura, ndjekje për shkak se ishim me kamera në territore, ku duhej të jepje llogari për këtë, takime me emocione dhe habi e madhe për Shqipërinë e Evros greke që njoha sajë Nasho Jorgaqit.

Pas Evros, Nasho më dha një numër telefoni Piana degli Albanesi dhe unë u nisa në kërkim të arberëreshëve, me një numër telefoni për të zbuluar një botë, ku tani shkojnë të gjithë. Por unë atëherë nuk dija ku po shkoja. Kisha vetëm atë numër telefoni që ma dha Nasho Jorgaqi, me porosinë të takoj sa më shumë shqiptarë e t'u them se Atdheu i njeh. Kënaqesha kur më thoshte këto. Kënaqem dhe tani kur mendoj sa emisione të bukura kam bërë duke dëgjuar njerëz që e duan këtë vend./dritare.net