Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Teqeja e Alipostivanit/ Tempulli i paqes që i mbijetoi shkatërrimit

Teqeja e Alipostivanit/ Tempulli i paqes që i mbijetoi shkatërrimit


Në dokumentarin e realizuar nga Dritare TV dhe fotoreporteri britanik Robert Hackman, një nga ndalesat më mbresëlënëse është në teqenë e Alipostivanit, pranë Përmetit, një vend i shenjtë që përfaqëson shpirtin e qëndresës dhe të harmonisë ndërfetare në Shqipëri.

E ndërtuar për herë të parë në fund të shekullit XVII, kjo teqe ishte një nga qendrat më të mëdha të urdhrit bektashi në Shqipërinë e Jugut. Por në vitin 1967, gjatë fushatës ateiste të regjimit komunist, ajo u shkatërrua plotësisht. E pabesueshme, por që prej asaj kohe është rindërtuar me dashuri dhe përkushtim, duke u kthyer sot në një kompleks të madh, mikpritës dhe frymëzues.

“Është një vend që flet pa zë. Qetësia e tij është më e fuqishme se çdo predikim,” rrëfen Hackman në dokumentar, ndërsa ecën në rrugicat që lidhin tyrbet, dhomat e pritjes dhe kopshtet me selvitë e gjata që rrethojnë vendin.

Pamjet nga kodra ku ndodhet teqeja janë mahnitëse: nga njëra anë Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës, nga ana tjetër lugina e Vjosës. Por më shumë se pamjet, është fryma e vendit që të mbush me ndjesi të thella.

Në këtë teqe, Hackman takohet me stafin mikpritës dhe përkujton Baba Hekuran Nikollarin, udhëheqësin shpirtëror të ndjerë që la pas një trashëgimi të madhe. Ai ishte njeri i paqes, i dashurisë dhe i hapjes ndaj kujtdo që kërkon rrugë shpirtërore, pa dallim feje apo kombësie.

Në muzeun dhe bibliotekën e teqesë, Hackman gjen shkrime të Fan Nolit dhe Naim Frashërit, si dhe një shënim të thjeshtë por të fuqishëm:

“Shqiptarët kur janë në teqe, janë myslimanë; kur janë në kishë, janë ortodoksë. Na bashkojnë krahët dhe koka e shqiponjës, si dhe e kuqja e flamurit.”

Një nga kulmet e dokumentarit është përgatitja e ashures, ëmbëlsirës tradicionale të bektashinjve për festën e Sulltan Nevruzit. Gatuar në një kuzhinë të posaçme të teqesë, për rreth 3,000 vetë, ashureja bëhet simbol i shpërndarjes, dashurisë dhe kujdesit për të tjerët.

“Bektashinjtë gjithmonë kanë ushqyer të varfrit. Teqetë kanë qenë më shumë se vende lutjeje – kanë qenë strehë për shpirtrat dhe trupat në nevojë,” thekson Hackman.

Në fund të vizitës, ai ndez një qiri për popullin shqiptar, për familjen e tij dhe për njerëzit që nuk janë më. Një akt i thjeshtë që përmbledh gjithë thelbin e bektashizmit: heshtje, përulësi dhe dritë./ dritare.net