Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Kurti dështon të formojë qeverinë e re, përgjegjësia i kalon Presidentes Osmani! Ja çfarë pritet!

Kurti dështon të formojë qeverinë e re,

Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet. Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.

Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s'kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja. Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë. Kreu i partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që të shkohet në zgjedhje menjëherë. E sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes. Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, njëherësh ministër në detyrë i Financave, i ka akuzuar deputetët e partive tjera se e kanë vendosur përpara inatin dhe kanë vendosur të barrikadohen në vend që ta shohin interesin shtetëror. Ai ka thënë se partia të cilës i takon nuk është vonuar asnjë ditë dhe prej certifikimit të rezultateve i ka kryer të gjitha detyrat brenda afateve kushtetuese.

“Të gjitha zvarritjet, të gjitha vonesat, siç është parë edhe sot, kanë qenë në mënyrë që të bllokohet qoftë formimi i Kuvendit, qoftë formimi i Qeverisë nga fituesi i zgjedhjeve dhe të krijohet një ambient kur të gjitha partitë opozitare barrikadohen dhe ankohen pse nuk ka marrëveshje politike, por kur atyre u ofrohet e njëjta, ato refuzojnë”.

I pyetur pse është propozuar emri i Dimal Bashës për ministër, kur ai veçse është kryetar Kuvendi, Murati ka thënë se emri i tij për pozitën e ministrit të Infrastrukturës ka qenë i vendosur qysh më herët.

“Por, neve na është imponuar, siç e dini, edhe unë kam qenë i propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit, kanë qenë edhe ministret [Arbërie] Nagavci e [Donika] Gërvalla, kemi qenë të propozuar si alternativa në momentin kur opozita e bllokonte konstituimin e Kuvendit, duke refuzuar votën për kandidaten për një pozitë që me Kushtetutë na takonte neve”.

Ndonëse shumë pjesëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Kurtin, për siç kanë thënë, zvarritjen e procesit të formimit të Qeverisë me muaj, në anën tjetër ata nuk shohin ndryshim rezultati në rast se mbahen zgjedhjet e reja. Agon Maliqi, njohës i zhvillimeve politike, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se nuk pret ndryshime të mëdha në rezultate. Sipas tij, situata mund të ndryshojë vetëm në rast se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate dështojnë që ta kalojnë pragun në Kuvend.

Të dyja këto parti kanë arritur koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurtit. Si përfundim, Aleanca i ka siguruar pesë ulëse në Kuvend, ndërsa Nisma tre të tjera. Pragu që duhet të kalojë një parti për të hyrë në Kuvend është 5 për qind e numrit të përgjithshëm të votave./rel