Kurti fton opozitën për presidentin: E domosdoshme marrëveshja për t'i shmangur zgjedhjet
Dritare.net

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vlerësuar si të domosdoshme një marrëveshje më opozitën për zgjedhjen e presidentit, pasi që ka thënë se zgjedhjet e reja janë të panevojshme.
Ai ka theksuar se sot do t’iu dërgojë ftesë liderëve të partive opozitare për t’u takuar në fillimin e javës që vjen, me qëllim të diskutohet cështja e presidentit/presidentes.
“Theksi duhet të vihet tek fakti që në vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk duhet të përsërisim atë në 2025. 2026 është viti i ri, nuk është as e drejtë, as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura; ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, ka theksuar Kurti, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se është domosdoshme që sa më parë të funksionalizohet Kuvendi dhe të mos shkojmë me zgjedhje të reja të panevojshme
“Meqenëse mbi 120 milionë euro të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare na janë vonuar për shkak se nuk po punon Kuvendi i Republikës, dhe në anën tjetër zgjedhjet e reja do të kushtojnë së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tash se kush e ka shumicën. LVV ka fituar me 51.1 për qind dhe çështja është të kuorumi prej 81 deputetëve, dhe nuk besoj që na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po arrijmë 80 deputetë”, ka deklaruar Kurti në një deklarim për media pas përurimit të hapësirave të rinovuara të Institutit të Atanomisë Patologjike.
Një ditë pasi që presidenti i ri nuk është zgjedhur në seancën e Kuvendit të mbajtur të enjten e javës së shkuar (5 mars), në orë të vona, Osmani ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit. Dekreti i saj është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, e cila e ka çuar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë e ka pezulluar dekretin dhe punën e Kuvendit deri më 31 mars, në pritje të vendimit.
Ndërkohë Kurti të premten ka folur edhe për deklarimet e Osmanit për caktimin e 28 dhjetorit si datë të zgjedhjeve të kaluara.
Ai ka thënë se ka qenë i bindur se vetëm 28 dhjetori ishte data që do të mund të mbaheshin zgjedhjet e përkohshme parlamentare.
“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, ku thuhet se kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Mos harroni që ne kishim në tetor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hynë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor. Nëse ndokush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha ai.
Osmani në një intervistë për “Syri TV” në fillim të javës, kur është pyetur për deklaratat se ka dashur t’i bëjë puç me udhëheqësit e Shqipërisë, kryeministrit Albin Kurti, Osmani ka thënë se nuk mund të konsiderohet puç ndaj dikujt duke ia dhënë datën 28 dhjetor për zgjedhjet nacionale, duke pritur diasporën e duke vizituar edhe komunat të cilat udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ky organizim ka qenë në shtator dhe unë kam marrë pjesë vetëm 10 minuta në takim me presidentin Begaj, pra a ia paskam organizuar pas shtatorit unë puçin Kurtit duke ia dhënë datën 28 dhjetor, duke ia hequr masat Kosovës, duke i sjellë Kosovës njohje ia paskam organizuar puçin, duke vizituar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje ia paskam hequr puçin, duke pritur diasporën? Nëse këto konsiderohen puç, atëherë po kthehem aty ku e thashë edhe në fillim - kur aleatja më e fuqishme e tyre konsiderohet kështu, imagjinojeni të tjerët”, ka deklaruar Osmani./KohaDitore