
VLEN e BDI shpallin fitoret paralelisht, gara e ngushtë në komunat shqiptare
Dritare.net
Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe mbylljes së qendrave të votimit, koalicioni opozitar VLEN deklaroi se pret fitore të qarta që në raundin e parë në disa nga komunat kryesore shqiptare. Përmes një konference për media, përfaqësuesit e VLEN thanë se rezultatet paraprake i japin epërsi në Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë.
“Presim fitore pothuajse në secilën komunë. Jemi optimistë se në disa prej tyre gara do të mbyllet që në raundin e parë. Kjo vlen për komunën e Çairit, ndërsa jemi afër fitores edhe në Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë. Jemi në proces të grumbullimit të informatave,” – thuhet në deklaratën e VLEN.
Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, njoftoi se partia e tij ka fituar në Likovë dhe Pllasnicë, duke theksuar se “fitoret e para janë sinjal i një triumfi më të gjerë të BDI-së në mbarë vendin”. “E fillojmë fitoren e madhe me fitore në raundin e parë në dy komuna – Likovë dhe Pllasnicë. Kandidatët tanë Erkan Arifi dhe ai në Pllasnicë kanë fituar me diferencë të dukshme,” deklaroi Ademi.
Në Çair, kandidati i VLEN-it, Izet Mexhiti, doli para mbështetësve duke shpallur fitoren dhe duke e cilësuar rezultatin si “fitore të një klase të re politike”. “Në Çair fituan të gjithë shqiptarët. Urime pensionimin kundërshtarëve politikë. Fitorja jonë nuk është personale, por e qytetarëve që votuan për ndryshim. Faleminderit shqiptarë, kjo është fitore e dinjitetit dhe e shpresës,” u shpreh Mexhiti, duke i bërë thirrje Ali Ahmetit “të tërhiqet nga politika, pasi votat e qytetarëve e çuan në pension”.
Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa në terren vijon numërimi i votave në disa komuna ku gara është e ngushtë./dritare.net

















