Vuçiç: Serbia humbi 750 milionë euro, ndërsa projekti i Trump po lavdërohet në Shqipëri
Dritare.net

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se vendi i tij ka humbur të paktën 750 milionë euro investime pas tërheqjes së kompanisë së Jared Kushnerit nga projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz në Beograd, duke e cilësuar këtë si një nga dëmet më të mëdha ekonomike të viteve të fundit.
“Ne humbëm një investim të jashtëzakonshëm, minimalisht 750 milionë euro. Kjo është një humbje e madhe për Serbinë”, tha Vuçiç.
Sipas tij, projekti dështoi për shkak të protestave, presionit politik dhe veprimeve të prokurorisë, të cilat ai i quajti një “gjueti shtrigash” kundër investitorit.
“Me këtë fushatë dhe këtë ndjekje kundër investitorëve, ne arritëm të shkatërrojmë gjithçka. Serbia mbeti pa një investim të madh dhe me një ndërtesë të rrënuar”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç paralajmëroi se do të përgatisë personalisht kallëzime penale ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, morën pjesë në prishjen e projektit.
“Unë personalisht do të përgatis dhe do të paraqes kallëzime penale kundër të gjithë atyre që morën pjesë në shkatërrimin e këtij investimi dhe në dëmtimin ekonomik të Serbisë”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Vuçiç bëri edhe një krahasim të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, duke theksuar se ndërsa Serbia humbi investimin, projekte të ngjashme po realizohen në vende të tjera të rajonit.
“Një projekt më i vogël që u bë me ngut në Shqipëri, ka marrë shumë vëmendje dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë”, tha Vuçiç.
Sipas presidentit serb, Jared Kushner u tërhoq nga projekti në Beograd pasi kuptoi se një pjesë e shoqërisë dhe e opozitës në Serbi nuk e kupton interesin e shtetit.
“Ata e kuptuan se disa këtu nuk e dinë se çfarë është interesi i shtetit dhe vendosën të kërkojnë vende të tjera që do t’i presin investitorët me dyer të hapura”, u shpreh ai.
Vuçiç përfundoi duke thënë se dëmi total ekonomik i shkaktuar Serbisë nga kjo çështje arrin deri në 1.5 miliardë euro, duke e cilësuar rastin si shembull të mundësive të humbura për shkak të përçarjeve të brendshme politike.
“Ne, fatkeqësisht, jemi mjeshtër të mundësive të humbura. Investimet po shkojnë në vende të tjera, ndërsa ne mbetemi me konflikte dhe rrënoja”, përfundoi Vuçiç./K.C/dritare.net