Messi për herë të parë përballë Harry Kane. Gjysmëfinalja që bën histori në Botëror
Dritare.net

Sot sytë e botës do të jenë në Atlanta, ku Argjentina dhe Anglia përballen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, në një duel që rikthen një nga rivalitetet më të mëdha në historinë e futbollit. Për herë të parë në karrierën e tij të jashtëzakonshme, Lionel Messi do të luajë në një ndeshje zyrtare ndaj Anglisë, duke shënuar një moment historik për legjendën argjentinase.
Një tjetër duel që tërheq vëmendjen është ai mes dy kapitenëve dhe golashënuesve kryesorë të skuadrave, Lionel Messi dhe Harry Kane. Edhe pse të dy kanë dominuar futbollin botëror për më shumë se një dekadë, ata nuk janë përballur kurrë në nivel kombëtaresh. Kane synon ta çojë Anglinë në finalen e parë të Botërorit që nga viti 1966, ndërsa Messi kërkon të mbrojë titullin e fituar me Argjentinën dhe t'i afrohet një tjetër trofeu historik.
Përtej yjeve në fushë, sfida mbart edhe një ngarkesë të madhe historike. Përballjet mes Anglisë dhe Argjentinës kanë prodhuar disa nga momentet më ikonike të Kupës së Botës, nga "Dora e Zotit" e Diego Maradonës në vitin 1986 deri te duelet e zjarrta të viteve pasuese. Kjo është përballja e parë mes dy kombëtareve në një Botëror pas shumë vitesh dhe pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të turneut.
Në Argjentinë kjo sfidë shihet edhe si një nderim për Diego Maradonën, figura që lidhet pazgjidhshmërisht me rivalitetin ndaj Anglisë. Ndërkohë, Anglia mbështetet te Harry Kane dhe Jude Bellingham për të thyer "mallkimin" 60-vjeçar dhe për t'u rikthyer në finalen e Botërorit. Me gjithë historinë, rivalitetin dhe emrat e mëdhenj në fushë, kjo gjysmëfinale konsiderohet nga shumë si finalja e parakohshme e Kupës së Botës./dritare.net