Albana Koçiu: Samiti i NATO-s në Tiranë, rol më i fortë për Shqipërinë
Dritare.net

Zv. Kryeministrja Albana Koçiu deklaroi se organizimi i Samitit të NATO-s në Shqipëri në vitin 2027 është një dëshmi e besimit të aleatëve ndaj vendit dhe e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që Shqipëria po merr në sigurinë euroatlantike.
Sipas Koçiut, ky angazhim po shoqërohet me investime konkrete në sektorin e mbrojtjes, rritje të kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimin e një industrie moderne ushtarake.
Ajo vuri në dukje se në kantierin e ndërtimit të Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, po realizohet një investim prej 13.2 milionë eurosh, pjesë e marrëveshjes fillestare me MSSC Group, i cili hap një drejtim të ri strategjik për industrinë shqiptare të mbrojtjes.
Zv. Kryeministrja theksoi se, në përputhje me angazhimet e NATO-s dhe rritjen e investimeve të vendeve aleate në mbrojtje, Qeveria Shqiptare ka miratuar përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026 edhe 10.3 miliardë lekë shtesë, duke e çuar financimin për mbrojtjen në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
"Shqipëria është gati të pozicionohet si një partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes. Tradita në manifakturë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe afërsia me tregjet europiane po kthehen në avantazhe konkrete, duke mundësuar projektimin, prodhimin dhe eksportin e pajisjeve për forcat e armatosura dhe strukturat e sigurisë, si në vend ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare," u shpreh Koçiu.
Ajo bëri të ditur se Guna Tactical ka krijuar 1200 vende të reja pune dhe ka nënshkruar tre kontrata për furnizimin me veshje të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për periudhën 2026–2028.
Sipas Zv. Kryeministres, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes nuk kufizohet vetëm te ky projekt, por po ndërtohet një zinxhir i integruar prodhimi edhe përmes bashkëpunimit me TIMAK Defence dhe "Myslym Keta Defence", duke tërhequr investime, teknologji dhe punësim të specializuar.
Koçiu e cilësoi gjithashtu si një arritje të rëndësishme partneritetin me Fincantieri, përmes të cilit, në bashkëpunim me KAYO-n, Shqipëria do të hyjë në një ndërmarrje të përbashkët për prodhimin e mjeteve lundruese me synim edhe eksportin.
Ajo theksoi se aktiviteti në bazën detare të Pashalimanit do të rrisë kapacitetet e Forcës Detare dhe do ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale për mirëmbajtjen dhe prodhimin e anijeve për partnerët e NATO-s.
Në përfundim, Zv. Kryeministrja Albana Koçiu u shpreh se vizioni i qeverisë është ta kthejë Shqipërinë në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendit në zinxhirët ndërkombëtarë të teknologjisë dhe prodhimit./L.F-dritare.net