
Stilistja shqiptare shkëlqen në Javën e Modës në Londër!
Dritare.net
Edhe nëse nuk e keni dëgjuar kurrë emrin Nensi Dojaka, ka të ngjarë që ta keni parë qasjen “super-seksi” që stilistja shqiptare ka ndaj veshjeve të grave. Tashmë ajo është mjaft e njohur në rrjetet sociale me veshjet e saj që karakterizohen nga bluza me material rrjetë dhe fustane.
E preferuar nga një listë mbresëlënëse e yjeve të pasarelave, duke përfshirë Bella Hadid, Hailey Bieber, Zendaya dhe Emily Ratajkowski, stilistja shqiptare 28-vjeçare ka fituar shpejt një interes të jashtëzakonshëm pasi fitoi dy nga çmimet më prestigjioze të industrisë së modës: Çmimin “LVMH” dhe çmimin e “Fondacionit të Këshillit Britanik të Modës” për talentet në zhvillim.
Emocioni dhe padurimi rreth shfaqjes “Vjeshtë-Dimër 2022” të Dojakës në Javën e Modës në Londër, pasarela e saj e dytë solo, ishte mjaft i dukshëm. “Business of Fashion e quajti "një nga ngjarjet më të pëlqyera të javës", dhe kjo u dëshmua nga prezenca e redaktorëve, influencerave dhe modeleve britanike "It", të cilët kundërshtuan “alarmin e kuq” lidhur me motin e keq të shtunën në Londër vetëm për të marrë pjesë.
Dhe Dojaka nuk zhgënjeu, duke debutuar një sërë veshjesh të dizajnuara me saktësi të jashtëzakonshme. Në veshje ishin të vendosura në mënyrë perfekte prerje dhe panele rrjete, që lidheshin së bashku me fije aq delikate duke dëshmuar se rrobat e Dojakës nuk tregojnë thjesht qepjet perfekte por edhe stilin jashtëzakonisht seksi. Krahas veshjeve që e kishin bërë tashmë të famshme si mini-fustanet dhe kostumet klasike, koleksioni i ri përfshinte xhaketat e lirshme dhe të shtrënguara në bel dhe xhaketa apo kostume të lirshme me pantallona klasike në ngjyrë gri, krem dhe rozë.
Koleksioni i saj përqafoi gjithashtu të gjitha format dhe masat trupore, siç po ndodh gjithnjë e më shpesh me stilistët e ndryshëm.
Triumfi i Dojakës vjen në një kohë kur moda ‘po bie sërish në dashuri’ me minifundet e Miu Miu që janë veshur nga çdo yll i ekranit përfshirë Hunter Schafer dhe Nicole Kidman. Por Dojaka tha se nuk ndihet nën presion nga pritshmëritë e industrisë.
“Mendoj se për sa i përket presionit, ky koleksion ishte më i mirë. E ndjeva më shumë herën e parë. Tani, unë e di më shumë se çfarë jam duke bërë”, tha ajo pasi duartrokitjet e furishme nga pasarela u shuan më në fund./dritare.net

















