
Moti i keq ka shkaktuar një incident në Portin e Durrësit. Dy tragete janë përplasur me njëri-tjetrin. Përplasja ka ndodhur gjatë manovrave të tragetit “AF Francesca” për t’u ankoruar në kalatë. Helika e tij ka kapur spirancën e tragetit “Rigel III”, i cili ishte ankoruar më parë në terminalin e trageteve. Për pasojë, helika e tragetit në hyrje, që ishte disa orë me vonesë për shkak të motit është dëmtuar.
Kjo ka diktuar vendimin që ky traget të kryejë sot një lundrim në kthim pa pasagjerë, për shkak të dëmtimit të helikës dhe kushteve të vështira atmosferike.
Si pasojë e motit të keq një traget që nisej këtë mesditë nga Bari ka pezulluar lundrimin. Për anijet e tonazhit të ulët dhe ato të peshkimit lundrimi u pezullua që një natë më parë. Sipas Kapitenerisë së Portit Detar, era fryn nga juglindja dhe dallgëzimi në det të hapur arrin në 7 ballë, duke krijuar vështirësi në lundrim./K.C/dritare.net

















