Ka mjaftuar raportimi i protestave shqiptare në disa media ndërkombëtare që në sytë e shumë të huajve të krijohet përshtypja se Shqipëria po përjeton një krizë të madhe. Pamjet e përplasjes, tymit dhe tensionit janë shumë më të forta se realiteti i përditshëm i një vendi që vazhdon të jetojë normalisht.
Pikërisht në momentin kur Shqipëria kishte arritur të ndërtonte një imazh krejt tjetër. Pas vitit 2020, vendi ynë u shndërrua në një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Europë. Mbi 10 milionë turistë në vit nuk erdhën rastësisht. Ata erdhën sepse panë një vend të bukur, të sigurt, mikpritës dhe plot jetë.
Por turizmi jeton mbi perceptimin. Një turist që sheh vetëm titujt në mediat ndërkombëtare nuk e di se protesta zhvillohet në një hapësirë të kufizuar dhe se jeta në Shqipëri vazhdon normalisht. Ai sheh pamjet, krijon pasiguri dhe zgjedh një destinacion tjetër. Kështu fillojnë anulimet e rezervimeve dhe dëmtohet një industri që sot është motori i ekonomisë shqiptare.
Protesta është pjesë e demokracisë dhe askush nuk e vë në diskutim këtë. Por mbrojtja e turizmit është një interes kombëtar, sepse prej tij jetojnë mijëra familje shqiptare. Kjo çështje është shumë më e madhe se politika e ditës. Është çështje e Shqipërisë.
Pikërisht për këtë arsye, ardhja e Kanye West në Tiranë mund të jetë shumë më tepër sesa një koncert. Mund të jetë një mundësi për t’i treguar botës një Shqipëri krejt tjetër: një vend të mbushur me njerëz, me energji, me muzikë, me të rinj dhe me atmosferë pozitive. Një ngjarje e tillë do të transmetohej në media dhe rrjete sociale në mbarë botën dhe do të ndihmonte në zëvendësimin e imazheve të tensionit me imazhe të jetës, festës dhe normalitetit.
Ky nuk është momenti për të parë çdo gjë me sy politik. Ky është momenti për të mbrojtur industrinë shqiptare të turizmit, reputacionin ndërkombëtar të vendit dhe punën shumëvjeçare që e ka kthyer Shqipërinë në një destinacion të kërkuar. Le ta shfrytëzojmë çdo mundësi për t’i treguar botës se Shqipëria është një vend i sigurt, mikpritës dhe plot jetë.
Sepse në fund, kjo nuk është një betejë për një protestë apo për një koncert. Është një betejë për imazhin e Shqipërisë./dritare.net