Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

24 Marsi që ndryshoi historinë e Kosovës

24 Marsi që ndryshoi historinë e Kosovës

Më 24 mars 1999, NATO nisi zyrtarisht fushatën ajrore ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë, në kuadër të operacionit “Allied Force”, me synimin për të ndalur krizën humanitare dhe spastrimin etnik që po zhvillohej në Kosovë. Sipas NATO-s, ndërhyrja erdhi pasi përpjekjet diplomatike për një zgjidhje politike të konfliktit kishin dështuar.

Operacioni filloi më 24 mars 1999 dhe u pezullua më 10 qershor 1999, duke zgjatur gjithsej 78 ditë. NATO thekson se objektivi ishte ndalimi i katastrofës humanitare në Kosovë dhe detyrimi i forcave jugosllave të tërhiqeshin nga territori. Më 10 qershor 1999, Jugosllavia pranoi tërheqjen e forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake, si edhe vendosjen e një pranie ndërkombëtare të sigurisë dhe administrimit civil.

Në atë kohë, konflikti në Kosovë kishte shkaktuar zhvendosje masive të popullsisë shqiptare. Vetëm pak ditë pas nisjes së bombardimeve, NATO raportonte se më shumë se 430 mijë të dëbuar kishin kaluar në vendet fqinje për t’i shpëtuar forcave serbe dhe njësive speciale. Më vonë, UNHCR raportoi se mbi 850 mijë shqiptarë etnikë ishin larguar nga Kosova gjatë luftës.

Fushata ajrore e NATO-s mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës moderne, pasi hapi rrugën për përfundimin e luftës, kthimin e refugjatëve dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë. Edhe sot, 24 marsi kujtohet si një datë me peshë historike për shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë./L.F-dritare.net