90 shtëpi nën ujë në Kurbin, ja situata në Durrës!
Dritare.net

Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në bashkinë e Kurbinit, ku vërshimi i përrenjve malorë dhe dalja nga shtrati e kanaleve kulluese kanë shkaktuar dëme të mëdha. Në zonën e Mamurrasit raportohen rreth 50 banesa të përmbytura, ndërsa në Milot janë evidentuar 40 banesa të tjera me prani uji.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë evakuuar 5 familje: njëra me pesë anëtarë në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë, dhe katër familje të tjera në njësinë administrative Zejmen në Lezhë. Të gjitha janë strehuar përkohësisht nga strukturat vendore pasi uji depërtoi në shtëpitë e tyre.
Në fshatin Zhejë të Kurbinit, kanalet e ujitjes dhe ato kulluese kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur rrugët, oborret dhe tokat bujqësore. Uji me rrjedhë të fuqishme ka marrë përpara edhe automjete, të cilat janë përplasur në pemë. Dëmet raportohen të jenë të mëdha si në banesa ashtu edhe në biznese./K.C/dritare.net
