Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Afera Partizani/ Paraqitja e radhës në SPAK, Berisha mobilizon militantët në protestë! Po sot shorti për trupën gjykuese

Afera Partizani/ Paraqitja e radhës në SPAK, Berisha mobilizon

Kreu i PD, Sali Berisha do të paraqitet sot në SPAK, në orën 10:00, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur nga gjykata për aferën Partizani. Ashtu sikurse edhe herët e tjera, Berisha ka mobilizuar militantët që të dalin para godinës së Prokurorisë së Posaçme.

Ndërkohë, po sot, në GJKKO do të hidhet shorti për përzgjedhjen e trupës gjykuese që do të shqyrtojë çështjen “Partizani”. Më 19 maj u mor vendimi për kalimin e dosjes në gjykim, pas muajsh zvarritjeje proceduriale.

Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, një çështje për të cilën SPAK thotë se ai ka përdorur postin e kryeministrit për të favorizuar pasurimin e familjes, përmes dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Malltezi, i ndodhur në arrest shtëpie, është dërguar në gjyq me akuzat për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Përveç Berishës dhe Malltezit, në këtë çështje janë përfshirë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash; Xhimi Begeja, ortak i Malltezit dhe trashëgimtar i tokës ku ndodhej ish-kompleksi “Partizani”, i akuzuar për pastrim parash; si dhe Andia Pustina, financiere e kompanisë “Homeplan”, e dyshuar për kryerjen e operacioneve financiare dhe ligjore që lidhen me pastrimin e parave. Në gjyq janë çuar gjithashtu edhe tre kompani: “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, gjithashtu për pastrim parash.