Arrestohet mjeku në spitalin e Fierit, merrte ryshfet për ekot. I gjenden mijëra euro në shtëpi
Dritare.net

Një mjek imazherist në Spitalin Rajonal të Fierit është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se merrte para nga pacientët për kryerjen e ekzaminimeve mjekësore.
Në pranga ka rënë Gëzim Taullaj, 66 vjeç, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, arrestimi është bërë pas një hetimi 4-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit. Hetimet dokumentuan se mjeku u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash nga një pacient, në këmbim të kryerjes së një ekoje abdominale.
Gjithashtu, gjatë orarit të punës në spitalin publik, ai vizitonte pacientë edhe në dy klinika private në Fier, në kundërshtim me detyrimet ligjore.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi shuma të konsiderueshme parash:
1.857.000 lekë të reja
39.155 euro
2.370 paund
75 dollarë amerikanë
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme procedurale./L.F-dritare.net