
Bankers nuk pagoi tatimet për 20 vite, Prokuroria jep detajet!
Dritare.net
Për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, “Bankers Petroleum” ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Një ditë pas aksionit në zyrat e kompanisë kineze në Fier që çoi në pranga edhe CEO-n Hongping Xiao dhe ish-drejtorin Leonidha Çobe, Prokuroria ka dhënë detajet e hetimit dhe ka zbuluar skemën e mashtrimit.
“Bankers Petroleum”, gjatë periudhës 2004–2024 ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 mld lekë, por pavarësisht kësaj shume, kompania ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 mld. Sipas organit të akuzës, përmes kësaj skeme, kompania ka shmangur pagimin e tatim-fitimit për 20 vite me radhë dhe për më tepër ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së, duke shkaktuar dëm financiar në miliona euro në buxhetin e shtetit.
"Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro", njoftoi Prokuroria e Fierit.
Aksioni dhe akuzat
Me vendim të Gjykatës së Fierit, janë lëshuar 14 masa sigurie, ku 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe 5 përfaqësuese kinezë të kompanisë janë shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.
Organi i akuzës thotë se kontrolle nuk janë ushtruar vetëm te kompania, së cilës i janë sekuestruar edhe serverat, por edhe nëpër banesa private ku janë sekuestruar sende të nevojshme për hetimin. Aksioni, thotë Prokuroria e Fierit, u ndërmor në këtë fazë të hetimit, pasi kishte rrezik për prishjen e provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes. Gjatë aksionit në kompani, oficerët të shoqëruar nga njësi të zyrës tatimore janë përballur me rezistencë. Dyert e selisë qendrore qëndronin të mbyllura, dhe është dashur përdorimi i forcës për të hyrë në mjediset e brendshme.
Skema e mashtrimit
Hetimi që çoi në këtë operacion u zhvillua për një periudhë 6-mujore, pas referimit të materialeve nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi është kryer me metoda proaktive dhe në bashkëpunim të ngushtë me strukturat tatimore dhe policore.
Sipas Prokurorisë së Fierit, “Bankers Petroleum” dyshohet se gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të aktivitetit të saj ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim që në bilancet vjetore të rezultonte me humbje. Kjo skemë i ka mundësuar kompanisë të shmangë pagesën e tatim-fitimit, ndërkohë që ka përfituar rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit miliona lekë dëm.
Mashtrimi është realizuar, sipas hetimeve, me ndihmën e individëve dhe shoqërive kontraktuese, përmes dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve financiare të dyshimta, të kryera me operatorë dhe individë të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Reagon Bankers
Një ditë pas aksionit, në zyrat e kompanisë Bankers Petroleum puna vijon normalisht ashtu si edhe aktiviteti fushën naftëmbajtëse të Patos- Marinzës. Në një deklaratë publike kompania tha se “që prej vitit 2004, operacionet tona kanë sjellë vlera të prekshme: kemi investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare; kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto”, ndërkohë shtoi se “kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në vlerën mbi 36 milionë USD”.
Hetimet vijojnë, përfshirë edhe kompani të tjera
Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.
Prokuroria, policia dhe tatimet zbarkuan prej mëngjesit të së mërkurës në zyrat qendrore të “Bankers Petroleum”. Fillimisht hasën në rezistencë dhe u desh përdorimi i forcës për të hyrë në ambientet e brendshme, ku qëndruan për disa orë, duke kontrolluar në detaje për gjetjen e provave shtesë për hetimin, sidomos në serverat e kompanisë. “Bankers Petroleum”, ka qenë shpesh në përplasje me autoritetet fiskale për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit shqiptar. Me dhjetëra shoqëri shqiptare janë ankuar se për një kohë të gjatë nuk janë paguar për shërbimet që i kanë ofruar kësaj kompanie. Po ashtu ka qenë në mënyrë të përsëritur në qendër të kritikave për mosrespektimin e parametrave mjedisor, apo për përdorimin e teknikave jo të përshtatshme në shfrytëzimin e nëntokës shqiptare.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Fierit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lëshoi 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248, 181/a të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.2063, datë 30.12.2024 nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.
Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.
Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.
Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbetet e angazhuar në ushtrimin me efektivitet të ndjekjes penale dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve të këtyre veprave që lidhen me taksat dhe tatimet./Shqiptarja.com

















