
Një goditje e fortë u dha sot në sektorin e hidrokarbureve: drejtori aktual i “Bankers Petroleum Albania” dhe ish-administratori i kësaj kompanie u arrestuan pas një hetimi të gjatë për abuzime të rënda me pasurinë kombëtare.
Në një intervistë për Shqip me gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, gjeologu i njohur Gjergj Foto dha një dëshmi tronditëse për mënyrën sesi nafta shqiptare është keqmenaxhuar dhe grabitur ndër vite.
“Nafta është si gjaku në trupin e njeriut. Bankersi e merr këtë gjak dhe nuk paguan atë që duhet. Pse ndodh kjo? Sepse ata mashtrojnë me aktivitetin e tyre, sepse nuk i kontrollon njeri,” – deklaroi Foto.
Ai theksoi se marrëveshja koncesionare e lidhur me kompaninë ka qenë e tillë që, nëse “Bankers” arrin të shesë aq naftë sa të mbulojë shpenzimet, që nga ai moment do të ndajë me shtetin shqiptar 50% të të ardhurave. Por sipas tij, kjo nuk ka ndodhur kurrë:
“Ka 21 vjet që nuk po hyn në fazën e fitimit 50 me 50. Bankers paguan, por nuk paguan atë që duhet të paguajë.”
Foto e quan këtë situatë një humbje të madhe për vendin, jo vetëm në aspektin financiar:
“Humbjet tona nuk janë vetëm monetare, por edhe morale. Na bëjnë për budallenj. Kemi sakrifikuar tej mase. Janë burgosur, janë pushkatuar prej naftës, kemi kaluar tmerre dhe kjo e gjitha është zeruar.”
Për sa i përket përfitimeve reale nga kjo pasuri natyrore, ai u shpreh qartë:
“Paratë që merr Bankers kalojnë në Kanada, SHBA, Britani dhe një 10% në Francë. Në Shqipëri nuk mbetet asgjë.”
Ai gjithashtu akuzoi institucionet shqiptare për papërgjegjshmëri dhe qëllimshmëri në prishjen e strukturave strategjike kombëtare si Uzina e Ballshit:
“U bë skrap Uzinës së Ballshit, që ishte perfekte për përpunim. Kush e bëri skrap? Vendimet e qeverisë. Filloi me të djathtën dhe përfundoi me të djathtën.”
Foto përmendi dhe pasojat sociale të këtij abuzimi:
“30.000 familje në zonat naftëmbajtëse nuk kanë më punë. Ndërkohë blejmë naftë të huaj me çmime të larta, ndërsa nafta jonë del jashtë.”
Deklaratat e Gjergj Fotos dhe hetimet ndaj “Bankers Petroleum” risjellin në vëmendje një nga plagët më të mëdha të ekonomisë shqiptare, shfrytëzimin e burimeve kombëtare pa përfitim real për vendin. A do të mjaftojnë këto hetime për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje të re dhe më të drejtë për Shqipërinë? Koha do ta tregojë./K.C/dritare.net

















