
Basha kërkon interpelancë me Ramën, për Kosovën!
Dritare.net
Partia Demokratike kërkon interpelancë me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me deklaratat për largimin e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe marrjen e Veriut të Kosovës nën kontroll nga KFOR. Në shkresën drejtuar Kuvendit, deputeti Kreshnik Çollaku kërkon që kryeministri të japë shpjegime për qëndrimet e tij.
“Kërkesa për marrje nën kontroll nga KFOR të veriut të Kosovës është një shpallje de facto e protektoratit ndërkombëtar mbi një pjesë të territorit të shtetit sovran të Kosovës. Kërkesa cenon sovranitetin e Kosovës mbi atë pjesë të territorit të saj, si dhe komprometon autoritetin e Policisë së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kërkesa injoron thelbin e prezencës dhe mandatit të KFOR, si dhe raportin e saj me Policinë e institucionet e Republikës së Kosovës. Kërkesa e Kryeministrit Rama injoron faktin se NATO e KFOR janë në Kosovë për të mbështetur pavarësinë e sovranitetin e saj dhe jo për t’a dëmtuar apo asgjësuar atë.
Bazuar në sa më sipër me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 80, pika 1 të Kushtetutës dhe të nenit 96 pika 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama”, thuhet në kërkesën e Çollakut drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës./L.F-dritare.net

















