Bekoje Flamurin/ Kryepeshkopi Joan lutet për popullin shqiptar në meshën e 28 Nëntorit!
Dritare.net

Me rastin e Festës së Flamurit, në Kishën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” u zhvillua një meshë e posaçme kushtuar kësaj dite të shenjtë për Kombin. Ceremonia, e njohur si “Doksologjia e Flamurit”, u mbajt në një atmosferë solemniteti dhe lutjeje.
Në fjalën e tij, Kryepeshkopi Joan përcolli urimet më të mira për këtë ditë, duke theksuar nevojën për paqe, mirëkuptim dhe dashuri ndaj atdheut dhe njëri-tjetrit. Ai i drejtoi lutjet e tij për bekimin e flamurit kombëtar, për mbrojtjen dhe forcimin e shtetit shqiptar, si dhe për mbarëvajtjen e popullit.
“O Zot i gjithpushtetshëm, Ti që bekon çdo gjë të shenjtë, shtrije hirin Tënd mbi Flamurin tonë kombëtar; ruaje vendin dhe popullin tonë nga çdo e keqe, jepu dritë drejtimi, liri dhe përparim.
Mbaji shqiptarët të bashkuar në paqe dhe në shpresë, dhe na jep forcë që ta festojmë këtë ditë me nder, shëndet dhe gëzim, kudo që ndodhemi.
Sepse Ti je Perëndia i mëshirës dhe i dashurisë për njerëzit, dhe Ty t’i dërgojmë lavdinë, bashkë me Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, tani dhe përgjithmonë, në jetë të jetëve. Amen"./dritare.net