Rubio uron shqiptarët për 113-vjetorin e Pavarësisë: Partneriteti ynë është më i fortë se kurrë
Dritare.net

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë urimet e tij për popullin shqiptar me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë. Përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, Rubio theksoi marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë”, shprehet Rubio, duke nënvizuar se partneriteti mes dy vendeve mbështetet në përkushtimin e përbashkët për një të ardhme të sigurt dhe të begatë.
Ai vuri në dukje se aleanca në NATO mbetet themeli i mbrojtjes së ndërsjellë, ndërsa përshëndeti investimet e Shqipërisë në forcimin e sigurisë kolektive. Rubio theksoi edhe rezultatet e bashkëpunimit në fushën e zbatimit të ligjit, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që rrit sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sekretari amerikan përgëzoi gjithashtu Tiranën për progresin në fushën e sigurisë kibernetike dhe për partneritetin e ngushtë me SHBA në adresimin e kërcënimeve kibernetike.
“Në këtë ditë të veçantë, ne presim të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, zhvillimin ekonomik dhe miqësinë tonë të qëndrueshme”, përmbyll Rubio./K.C/dritare.net
