Gjykata lë në burg shefin e Antiterrorit: Më kanë përdorur emrin, nuk kam pasur Sky Ecc
Dritare.net

Gjykata e Posaçme ka vendosur që oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, të qëndrojë në burg. Gjatë seancës së sotme, Haxhiaj ka mohuar çdo akuzë, duke deklaruar se nuk ka pasur aplikacionin Sky Ecc.
“Më kanë përdorur emrin. Nuk kam pasur Sky Ecc dhe nuk kam komunikuar asnjëherë përmes këtij aplikacioni,” ka thënë ai.
Haxhiaj akuzohet për lidhje me grupin e goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Arrestimi i tij lidhet me aksionin e përbashkët mes prokurorisë së Breshias dhe SPAK, ku u godit një grup i përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe më pas në Itali.
Për periudhën kur dyshohet se ka kryer këto vepra penale, Haxhiaj ka qenë pjesë e Forcave Operacionale, ku ka shërbyer për disa vite. Kohët e fundit, ai është transferuar te Antiterrori dhe po vazhdon studimet për të marrë gradën e nënkomisarit./K.C/dritare.net