Kush janë 24 të arrestuarit nga operacioni i antimafias italiane dhe SPAK-ut!
Dritare.net

Janë publikuar emrat e 24 personave të arrestuar në operacionin ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, të zhvilluar nga Prokuroria e Breshias në bashkëpunim me SPAK-un dhe autoritetet zvicerane. Hetimi, i realizuar përmes një skuadre të përbashkët hetimore, zbuloi një rrjet kriminal të strukturuar që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës së Veriut dhe më pas në Itali, përmes disa rrugëve tokësore.

Grupi dyshohet se kishte ngritur gjashtë baza logjistike në territorin italian për magazinimin e drogës, ndërsa për transportimin e të ardhurave përdorte “money mules”, mes tyre edhe shoferë autobusi të linjës Itali–Shqipëri.

Autoritetet italiane kanë sekuestruar mbi 1 300 kg kokainë, 550 mijë euro cash, 10 automjete, një armë zjarri dhe 130 kg drogë të tjera. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë 10 persona.
Në Shqipëri kanë rënë në pranga Asti Llupi, Erald Salla dhe Altin Shehaj, të cilët kërkoheshin nga drejtësia italiane. Në total, ndaj 24 personave janë vendosur masa sigurie, ndërsa gjashtë prej tyre ndodhen aktualisht në Shqipëri./K.C/dritare.net
