Braçe kërkon llogari për tokat e Semanit, thirrje ministrit të Bujqësisë në Kuvend
Dritare.net

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka depozituar në Kuvend një kërkesë për zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla.
Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Braçe kërkon sqarime lidhur me lejimin e grabitjes dhe tjetërsimit të tokës përgjatë lumit Seman, pranë fshatit Imshtë. Ai kërkon gjithashtu informacion nëse janë evidentuar raste të ngjashme edhe përgjatë lumenjve Seman dhe Shkumbin.
Kërkesa e deputetit Erion Braçe
"Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90 dhe 95 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, për sa më poshtë vijon:
Pse lejohet grabitja dhe tjetërsimi i tokës së lumit Seman, pranë fshatit Imshtë, njësia administrative Bubullimë, bashkia Lushnje?
A keni evidentuar raste të tjera të grabitjes dhe tjetërsimit të tokës së lumit përgjatë lumenjeve Seman dhe Shkumbin, në territore të bashkisë Lushnje, Divjakë?", thuhet në kërkesën e zotit Braçe./L.F-dritare.net