Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vdekja e shtetasit italian Massimo Ferro, reagon spitali Trita

Vdekja e shtetasit italian Massimo Ferro, reagon spitali Trita

Shtetasi italian Massimo Ferro ndërroi jetë në Shqipëri, pas një operacioni në spitalin privat Trita Hospital. Sipërmarrësi 54 vjeçar iu nënshtrua operacionit për zvogëlimin e stomakut, më datë 18 dhjetor të vitit të shkuar.

Në ditën e katërt pas operacionit, për shkak të çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua për trajtim më të specializuar në QSUNT.

Por pavarësisht ndihmës së stafit shëndetësor, Massimo Ferro pësoi arrest kardiak në ditën e pestë pas ndërhyrjes dhe ndërroi jetë në mbrëmjen e datës 22 dhjetor.

Vdekja e tij po hetohet në të dyja shtetet, Shqipëri dhe Itali.

Trita Hospital, ka dalë sot me një reagim ku deklaron se ndërhyrja është kryer në përputhje me të gjitha protokollet dhe standardet mjekësore në fuqi.

“Në lidhje me raportimet mediatike mbi rastin e shtetasit italian Massimo Ferro, Trita Hospital informon opinionin publik për faktet e verifikuara si më poshtë: Më datë 18 dhjetor të vitit të kaluar, shtetasi Massimo Ferro iu nënshtrua në Trita Hospital një ndërhyrjeje kirurgjikale bariatrike për zvogëlimin e stomakut. Procedura u krye nga ekip i specializuar dhe në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi. Pacienti kishte ndjekur më parë këshillim dhe monitorim dietologjik në Itali dhe kishte marrë miratimin e plote për kryerjen e kësaj procedure nga specialisti që ndiqte rastin e tij ne Itali.

Vdekja e shtetasit italian Massimo Ferro, reagon spitali Trita

Në ditën e katërt pas operacionit, pas shfaqjes së çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua menjëherë për trajtim më të specializuar. Ekipi mjekësor ndërmori pa vonesë të gjitha veprimet e kërkuara nga praktika klinike. Pacienti u trajtua më pas në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku, pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë më 22 dhjetor.

Pas ngjarjes, sipas protokolleve dhe procedurave, dokumentacioni mjekësor është sekuestruar nga autoritetet përkatëse dhe është në zhvillim një hetim penal, me të cilin Trita Hospital po bashkëpunon plotësisht dhe pa asnjë rezervë. Në lidhje me pretendimet e publikuara për heqje organesh, sqarojmë se trupi i të ndjerit është marrë në administrim nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Organet përkatëse ndodhen në këtë institucion si pjesë e procesit standard ligjor.

Trita Hospital konsideron të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm çdo spekulim publik që paraprin përfundimet e ekspertizave zyrtare dhe cenon integritetin profesional të personelit shëndetësor. Spitali mbetet plotësisht i hapur për çdo verifikim institucional dhe ekspertizë të pavarur dhe inkurajon që opinioni publik të mbështetet vetëm mbi rezultatet zyrtare që do të dalin nga hetimi dhe verifikimet. Nuk ka interes më të madh për Trita Hospital se hetimi i plotë dhe transparenca mbi këtë rast. Në respekt të kujtimit të Massimo Ferro dhe familjes së tij, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe kërkojmë që kjo çështje të trajtohet plotësisht, me maturi, përgjegjësi dhe empati”, thuhet nw reagimin e Trita Hospital./L.F-dritare.net