Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Burg për ndërtuesit pa leje? Çfarë thotë Rama!

Burg për ndërtuesit pa leje? Çfarë thotë Rama!

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një shkundje të fortë në strukturat e mbrojtjes së territorit, duke kërkuar përgjegjësi të plotë nga inspektorët dhe strukturat e sigurisë për ndërtimet pa leje. Rama thekson se përgjegjësia kryesore për ndërtimet pa leje është e shtetit dhe strukturave që duhet të mbrojnë ligjin:
“Pra, në një farë mënyre njësoj si të thuash që ç’faj ka hajduti, pse shteti nuk e kapi hajdutin dhe pse duhet kapur dhe dënuar hajduti në rast se shteti e lejoi që ai të vidhte? Ç’faj ka vrasësi nëse shteti nuk e ndaloi të vriste? Ç’faj ka çdo shkelës i ligjit nëse shteti nuk është aty në sekondë për ta ndaluar të bëjë atë shkelje? Pra kush bën shkeljen, është i pafajshëm. Dhe ndërkohë fajin e ka shteti dhe fajin e kanë të gjithë ata që punojnë në emër të shtetit, për llogari të shtetit dhe nuk i shohin këto gjëra.”

Rama shton se ka një përgjegjësi të madhe të strukturave dhe inspektorëve:
“Pa diskutim që në rastin e ndërtimeve të tilla, ka një përgjegjësi të madhe të strukturave përkatëse, kjo as nuk mund të diskutohet, por pyetja tjetër që vjen është, ‘a është kjo përgjegjësi përkatëse e mjaftueshme për të mos ndërhyrë, për të mos rivënë në vend ligjin, aty ku ligji është shkelur?’”

Ai njofton masa të reja ligjore që do të vendosin përgjegjësi për inspektorët dhe punonjësit e policisë:
“Ne kemi përcaktuar në pakon e re të masave që së shpejti do të aprovojmë, që të gjithë ata inspektorë, punonjës policie dhe me radhë, që kanë përgjegjësi të kenë sytë hapur, do të mbajnë përgjegjësi në rast se do të konstatohen shkelje të kësaj natyre... Pa diskutim. Sot për sot nuk e kemi këtë në ligj, do ta vendosim.”

Kryeministri thekson edhe një fakt në lidhje me fenomenin e ndërtimit pa leje:
“Fenomeni i ndërtimtarisë pa leje është një fenomen, i cili na ka shoqëruar në gjithë këto vite, por nuk ka ardhur duke u shtuar, ka ardhur duke u pakësuar, pa diskutim.”

Ai përfundon duke u ndalur te mentaliteti që duhet ndryshuar:
“Kur lexon një pjesë të këtyre komenteve, shqetësohesh sepse mentaliteti me të cilin do të luftojmë të gjithë, absolutisht të gjithë së bashku, është që ‘nëse unë ia hedh shtetit, e ka fajin shteti që nuk më kapi mua’. ‘Nëse unë ndërtoj pa leje, nuk e kam unë fajin, e ka fajin shteti që më la mua të ndërtoj dhe madje unë duhet të duartrokitem.’”/K.C/dritare.net