Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Corriere della Sera shkruan për shqiptarin hero: Elton Zefi, i riu që sfidoi vdekjen për të shpëtuar një jetë!

Corriere della Sera shkruan për shqiptarin hero: Elton Zefi, i riu që

Nga Corriere della Sera

Gjithçka nisi brenda pak sekondash, në një heshtje të thyer vetëm nga shushurima e ujit dhe një britmë tmerri. Një mëngjes i akullt, një makinë që humb kontrollin dhe përfundon në kanalin Battaglia dhe dy kalimtarë të cilët, pa asnjë hezitim, e shndërrojnë një aksident të destinuar të mbyllet në tragjedi në një shpëtim që i ngjan mrekullisë.

Padova, e enjte 20 nëntor, ora 11:30. Fati i një burri dukej i vulosur: makina që fundoset, bashkë me të edhe jeta e tij. Por jo. Instinkti më i pastër njerëzor mjaftoi që dy burra të hidheshin dhe t’i rrëmbenin vdekjes një jetë.

Pamjet e transmetuara nga Telenuovo tregojnë një Toyota Yaris që rrëshqet në ujë pas një manovre të gabuar në via Ponte della Cagna. Në timon është një padovan sipërmarrës i njohur dhe ish-punëdhënës i njërit prej shpëtimtarëve.

Makina fundoset me shpejtësi. Në atë çast, Elton Zefi, 32 vjeç, sot punonjës në një kompani fotovoltaikësh, e kupton se nuk mund të presë.
“Po kaloja rastësisht aty, tregon ai dhe sapo pashë njerëzit të mbledhur dhe makinën që zhytjej, e dija që duhej të ndërhyja.”

Shpëtimtari tjetër i thotë të presë momentin e duhur, një hezitim i shkurtër, një rrezik i llogaritur për të mos e bërë situatën edhe më të rrezikshme. “Dukej sikur e kuptonte situatën më mirë se unë, vazhdon Eltoni, ndaj dëgjova këshillën e tij.”
Ato sekonda dukej sikur zgjatën pafund.


Kabina që mbushet me ujë
Brenda makinës, i moshuari ulërinte. Uji ngrihej, makina zhytej. Mjeti kthehet me një kënd të frikshëm. Është çasti.

“U hodhëm menjëherë, tregon Eltoni, por nuk po arrinim ta nxirrnim. Makina nisi të anonte dhe bagazhi doli për një moment mbi ujë. U ngjita mbi të, ishte i vetmi vend ku mund të mbështetesha.” Ai përpiqet të thyejë xhamin ndërsa makina tërhiqet nga rryma.

Videoja ndalet para momentit vendimtar, por Eltoni e përshkruan kështu çastin vendimtar:
“Pak sekonda pas fundit të videos, pashë një dorë që doli nga dritarja e pasme. E kapi miku im, e kapa dhe unë. Tërheqëm me gjithë forcën që kishim. Në fillim dukej e pamundur, por pastaj më në fund e pamë të dilte në sipërfaqe dhe të merrte frymë. Ishte i vetëdijshëm dhe nuk pushoi së na falënderuari, e kuptonte rrezikun që kishte kaluar.”


Shpëtimi u kthye në një ndërhyrje të përbashkët të lindur nga hiçi. Askush nuk njihte askënd, askush nuk kishte kohë të fliste. Vetëm veprim.

Një kalimtar formon një zinxhir njerëzor, të tjerë sjellin peshqirë dhe batanije. Të ftohtin e ndienin të gjithë, por kishte vetëm një prioritet: të ngrohej burri i saposhpëtuar, si dhe dy shpëtimtarët që u futën në ujë pa rroba.

“Na nxorën menjëherë nga uji, thotë Eltoni, na mbuluan sepse ishte tmerrësisht ftohtë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, por kur pamë se ai ishte mirë, na ra një gur nga zemra.”


Dhe ja detaji që emocionon më shumë. Pasi u qetësua, Eltoni zbuloi se kë kishte shpëtuar:
“E njihja, por nuk e besoja. Nuk e mendoja kurrë se ishte ai.”
Ishte pikërisht sipërmarrësi që vite më parë i kishte dhënë mundësinë e një pune. Një rastësi që i shton një shije akoma më të veçantë një gjesti tashmë të jashtëzakonshëm.

Më vonë zjarrfikësit nxorën makinën, por kjo tashmë nuk kishte shumë rëndësi. Videoja u shpërnda në telefona e rrjete sociale, ndërsa pjesën tjetër e tregojnë protagonistët.

“Nuk e quaj një akt heroik", thotë Eltoni." Erdhi natyrshëm. Kur kuptova se ai njeri po rrezikonte jetën, mendja më tha vetëm një gjë: duhet të hidhem. Për një herë, mes gjithë tragjedive, mund të themi se kjo histori përfundoi mirë.”


Pas gjithë asaj vale emocionesh, dridhje, ankth, adrenalinë dhe të ftohtë që të pret lëkurën. Elton u kthye në shtëpi dhe bëri dushin më të gjatë të jetës së tij. E meritonte.

Ishte ditëlindja e tij. Dhe atë ditë, Eltoni festoi duke e ditur se kishte shpëtuar një jetë. Një festë e thjeshtë, si vetë ai, si karakteri i tij, si instinkti që e shtyu drejt atij veprimi që nuk do ta harrojë kurrë.

Prej 15 vitesh jeton në Itali, tashmë e ndien veten në shtëpi. Por ajo që ndodhi ka një domethënie që nuk fshihet kurrë.
Një histori që na kujton se kurajo nuk paralajmërohet: ajo shpërthen në heshtje, aty buzë një kanali dhe ndryshon një fat që dukej i shkruar. Me siguri fatin e një personi… por, po të mendosh mirë, edhe të dy të tjerëve./K.C/dritare.net