Kush e hartoi planin 28-pikësh për Ukrainën? Sekretari amerikan reagon pas kritikave të forta
Dritare.net

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se plani 28-pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cilësuar gjerësisht si i favorshëm për Rusinë është “hartuar nga Shtetet e Bashkuara”, duke kundërshtuar raportimet dhe debatet e krijuara ditët e fundit në Washington.
Deklarata e tij vjen pasi disa senatorë amerikanë thanë se Rubio u kishte bërë me dije se drafti, të cilin një prej tyre e përshkroi si “listë dëshirash ruse”, nuk pasqyronte politikën e administratës amerikane. Sipas tyre, Rubio kishte lënë të kuptohej se dokumenti nuk vinte nga SHBA dhe se i ishte paraqitur administratës si propozim nga pala ruse.
Por Rubio më vonë u distancua nga këto interpretime, duke theksuar publikisht se plani është produkt amerikan, ndonëse “i bazuar në kontribute” nga të dyja palët e konfliktit, Rusia dhe Ukraina. Sqarimi i tij u publikua pak para nisjes së udhëtimit drejt Gjenevës, ku ai pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë ukrainas dhe përfaqësues të sigurisë europiane rreth propozimit, të cilin presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Kievi ta shqyrtojë sa më shpejt.
Ndërkohë, aleatët evropianë të Ukrainës kanë reaguar me kundërshtime ndaj disa prej klauzolave kyçe të draftit, i cili ende nuk është bërë publik, por detaje të tij janë rrjedhur gjerësisht në media. Sipas këtyre rrjedhjeve, dokumenti parashikon që Ukraina të tërheqë trupat nga disa zona lindore që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë me forcë, si edhe të pranojë kufizime të konsiderueshme në madhësinë e ushtrisë së saj.
Konfuzioni politik u thellua të shtunën, kur senatori republikan Mike Rounds deklaroi se Rubio u kishte thënë ligjvënësve se drafti nuk ishte propozim zyrtar amerikan. Duke folur në Halifax Security Forum, Rounds tha se informacioni që kishte marrë tregonte se dokumenti i ishte paraqitur të dërguarit diplomatik të Trump-it, Steve Witkoff, nga “dikush që përfaqësonte Rusinë”, dhe se nuk përfaqësonte politikën apo rekomandimin e SHBA-së.
Pak orë më pas, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, e cilësoi deklaratën e Rounds si “krejtësisht të pavërtetë”. Në një postim në rrjetet sociale ai tha se, si Rubio ashtu edhe administrata, kanë qenë të qartë se plani është hartuar në SHBA dhe ka marrë input nga të dyja palët e përfshira në konflikt.
Rubio, për të qartësuar edhe më tej pozicionin e tij, publikoi vetë një deklaratë ku përsëriti se propozimi për paqe “është hartuar nga Shtetet e Bashkuara”, dhe se është rezultat i informacionit të mbledhur si nga pala ruse, ashtu edhe nga Ukraina në procesin e vazhdueshëm të konsultimeve.
Presidenti Trump, i cili e ka bërë përfundimin e luftës një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të mandatit të tij të dytë, deklaroi po atë ditë se plani nuk përbën një “ofertë përfundimtare” për Kievin. Ai kishte thënë më herët se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “do të duhet” ta pranojë atë në një moment të caktuar./K.C/dritare.net