Dosja Meta-Kryemadhi! GJKKO vendos sot kalimin ose jo për gjykim!
Dritare.net

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të japë sot vendimin nëse dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë do të kalojë apo jo për gjykim.
Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Mbrojtja ka kërkuar pushimin e çështjes ose në alternativë rikthimin e saj për hetim të mëtejshëm.
SPAK mbylli hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi më 28 korrik të vitit të kaluar dhe në fund të gushtit e dërgoi çështjen në gjykatë. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet në burg është Ilir Meta, i arrestuar në tetor të vitit 2024. Të gjitha kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë janë rrëzuar, përfshirë edhe një kërkesë të shqyrtuar së fundmi nga Gjykata e Lartë.