Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dumani-Bylykbashit: Task-Forca për zgjedhjet nuk ka dështuar, ti më falënderove 

Dumani-Bylykbashit: Task-Forca për zgjedhjet nuk ka dështuar, ti

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me hetimet për krimet zgjedhore, veçanërisht atyre të ngritura nga deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi. Ky i fundit vuri në dyshim efektivitetin e Task-Forcës për zgjedhjet e vitit 2025, duke e cilësuar atë si “fiasko”.

Në reagimin e tij, Dumani theksoi se puna e SPAK nuk ka qenë e pafrytshme dhe solli shifra konkrete për hetimet e zhvilluara deri më tani.

“Nuk mund të them që Task-Forca ka dështuar. Kemi regjistruar 44 procedime penale. Kemi të pandehur një kryetar bashkie për korrupsion aktiv, një tjetër nën hetim për të njëjtën vepër, si dhe disa persona të arrestuar vetëm për zgjedhjet e 2025. Kemi gjithashtu 38 procedime të tjera që po i ndjekim dhe shpresojmë të kemi rezultate konkrete,” deklaroi Dumani.
Kreu i SPAK zbuloi gjithashtu se ka pasur komunikime direkte me deputetin Bylykbashi gjatë procesit zgjedhor dhe se çdo pretendim i tij është verifikuar në kohë reale.

“Çdo pretendim tuajin e kemi verifikuar në kohë reale. Kam dërguar hetues dhe prokurorë në mes të natës. Ju madje edhe e keni falenderuar prokurorin e posaçëm,” tha Dumani, duke theksuar përkushtimin e institucioni që ai drejton.
Ai shtoi se, pavarësisht kapaciteteve të kufizuara — me vetëm 20 prokurorë — SPAK ka vepruar menjëherë ndaj çdo denoncimi për blerje votash apo shkelje të ligjit zgjedhor.

“Jam njësoj i shqetësuar si ju për blerjen e votës, sepse vota është e shenjtë. Por kapacitetet dhe mundësitë e SPAK këto janë,” u shpreh Dumani.
Në fund, ai theksoi se hetimet për krimet zgjedhore po vijojnë dhe se institucionet ligjzbatuese do të vijojnë të bashkëpunojnë për të garantuar integritetin e zgjedhjeve./L.F-dritare.net