Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK zbulon 16 grupe kriminale shqiptare që veprojnë ndërkombëtarisht: 10 prej tyre janë goditur

SPAK zbulon 16 grupe kriminale shqiptare që veprojnë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka bërë me dije se gjatë vitit 2024 janë evidentuar 16 grupe kriminale shqiptare që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. Në raportimin e tij para Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë e Institucionit, Dumani theksoi se këto grupe janë të përfshira kryesisht në trafikun e kokainës dhe kanabisit, ndërsa disa prej tyre merren edhe me trafikim qeniesh njerëzore dhe krim kibernetik.

Sipas kreut të SPAK, grupet kriminale blejnë kokainë në Amerikën Latine dhe e shpërndajnë në disa shtete të Bashkimit Europian, si Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Norvegji.

Në Shqipëri, aktiviteti i tyre është përqendruar në qarqet Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Kukës. Dumani shtoi se 10 nga 16 grupet kriminale janë goditur dhe dosjet e tyre janë provuar në gjykatë.

“Këto grupe karakterizohen nga strukturë hierarkike, përdorimi i komunikimeve të koduara dhe pastrimi i parave përmes bizneseve të ligjshme. SPAK po vijon hetimet për gjashtë grupet e tjera që ende janë aktive”, deklaroi Dumani.

Ai theksoi se lufta kundër krimit të organizuar mbetet një nga prioritetet kryesore të SPAK për vitin 2025, me qëllim goditjen e rrjeteve ndërkombëtare që dëmtojnë sigurinë dhe imazhin e vendit./L.F-dritare.net