Për ditën e martë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, të alternuara herë pas here me kthjellime.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Nga orët e mesditës reshjet do të humbasin gradualisht terren, duke u izoluar vetëm në relievet malore të jugut me intensitet të ulët, për t’u ndërprerë më pas në të gjithë vendin.
Era do të fryjë nga verilindja në veriperëndim me shpejtësi mesatare deri në 8 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare, veçanërisht në jugperëndim dhe zonat luginore, do të arrijë shpejtësi deri në 20 m/sek, duke shkaktuar dallgëzim në det me forcë 2 deri në 4 ballë.