
Edi Rama: Procesi i integrimit në BE, një martesë që duhet merituar
Dritare.net
Në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, Kryeministri Rama ishte pjesë e panelit të liderëve në diskutimin mbi sfidat e zgjerimit të BE, së bashku me Komisioneren për Zgjerim e Bashkimit Europian Marta Kos, Kryeministrin e Republikës së Kroacisë Andrej Plenković, Kryeministrin e Sllovenisë Robert Golob dhe Kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajić, të moderuar nga Nathalie Tocci, Drejtuese e Istituto Affari Internazionali.
Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria po ecën përpara në procesin e anëtarësimit, me të gjithë angazhimin për realizimin e piketave dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Europian.
“Kemi objektiva të qarta të hedhura në tryezë nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë të gjitha piketat dhe të gjitha kriteret që t’i përmbyllim negociatat deri në 2027-ën. Pra, këtë po bëjmë, pikërisht këtë, po shtyjmë, po ecim përpara." tha mes të tjerash Kryeministri Rama.
Nathalie Tocci: Siç përmenda pak më parë, si Shqipëria dhe Mali i Zi përfaqësojnë në këtë pikë në kohë vendet pararojë të procesit dhe ato vende që nëse do të përmbushim zotimin e BLED dhe do të bëjmë më mirë, ata duket se janë ata që janë në rrugë të mbarë për këtë.
Edi ndoshta më lejo ta nis me ju dhe duke perifrazuar atë që tha Marta: Çfarë po bëni që t’i vendosni aktualisht reformat mbi politikën e ditës dhe çfarë mund të na thoni sot, të na bindni që Shqipëria është në fakt në rrugë të mbarë, jo për 2030-ën, por siç edhe ju e thatë edhe për 2027-ën. Na bindni që vërtet kjo është ajo që po ndodh dhe mënyrën se si Shqipëria do ta përmbushë këtë zotim.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Së pari, më vjen shumë mirë që gjendem këtu në 20 vjetorin e këtij Forumi dhe pse nuk i kam ndjekur të 20-ta. Dua të bëj dy komente shumë të shkurtra.
E para pashë filmimin dhe u çudita që ish Presidenti mbetej i njëjti, ashtu si Sllovenia përshembull, çdo herë që vij unë gjërat nuk ndryshojnë janë po njësoj, të përkryera.
Komenti i dytë; nuk e di për çfarë arsye, ndoshta strategjike, por karriget bëhen gjithmonë më të vogla, e më të vogla, e gjithmonë më të parehatshme, nuk e di nëse keni ndoshta ndonjë mesazh që na përcillni përmes karrigeve, vetëm ky panel. Sa për të na thënë që duhet ta mbyllim shpejt, por nëqoftëse doni që ne ta mbyllim shpejt, së pari; jo moderatore italiane, sepse bëhen ato lojtari kryesor dhe e dyta s’duhet të kishit njerëz nga Ballkani e aq më tepër kandidat që është edhe më dëshpëruese.
Ne nuk po themi që jemi gati për 2027-ën, por falë rekordmenes sllovene të notit kemi objektiva të qarta të hedhura në tryezë nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë të gjitha piketat dhe të gjitha kriteret që t’i përmbyllim negociatat deri në 2027-ën. Pastaj, sigurisht, janë shtetet anëtare dhe është një pjesë tjetër e procesit.
Pra, këtë po bëjmë, pikërisht këtë, po shtyjmë, po ecim përpara dhe nuk po bëjmë pyetje, sepse gjëja më e mirë për të bërë me Bashkimin Europian është të jesh i lirë kur flet në BLED, por pastaj të thuash po, po, po, sa herë të thonë “të bësh këtë, atë, atë” pra, nuk ka negociatë.
Në qoftë se e ngatërron BLED- in me Brukselin, atëherë “ke shkuar për dreq”, në qoftë se nuk do të shkosh për dreq, atëherë në BLED vjen të ndash vizionin, mendimet e ndryshme dhe çdo gjë që do të shprehësh, dhe pastaj shkon në Bruksel dhe të jesh një student, një nxënës shumë, shumë i zellshëm.
Thënë kjo, dua të them që s'ka vend për nxitim, sepse besoj që pjesa më e rëndësishme për ne, së paku për Shqipërinë, - Mali i Zi është vend i madh, flas për Shqipërinë - është që ta përdorim procesin e anëtarësimit, si proces shtet ndërtimi, sepse Europa është bekim për vende si tonat, sepse është vendi i vetëm ku mund të marrësh dijet se si të ndërtohen institucionet.
Ne nuk kemi pasur kurrë institucione më parë në kuptimin e mirëfilltë dhe ndërtimi i institucioneve është procesi më i vështirë dhe këtu është dallimi me Afganistanin, Irakun apo të tjerë, ku miqtë tanë të dashur nga ana tjetër e oqeanit kanë menduar se me bomba e vlera mund të ndryshosh një vend, por nuk është kështu.
Ajo çfarë kemi në Europë, edhe pse dolëm nga një histori e ngjashme, shumë e ngjashme, me Irakun, Afganistanin, a ku di unë, sa i takon mungesës së lirisë, sa i takon të gjitha mizorive, është dija për ndërtimin e institucioneve.
Kështu që për këtë të gjithëve në vend ju them që duhet të jemi të zellshëm të bëjmë punën. Nuk është diçka që na pëlqen domosdoshmërish, patjetër nuk na pëlqen domosdoshmërish që ta kemi trafikun po aq të përsosur sa në Gjermani, por na duhet ta bëjmë.
Europa është këtu të na mësojë se si të vendosim semaforët, se si të sigurojmë një qarkullim të mirë në jetën institucionale, është diçka e jashtëzakonshme.
Ne po ecim përpara, po përparojmë, por në kuptimin e udhëheqjes, tek ne është populli shqiptar. Ne jemi absolutisht euro-optimistë, e duam Europën pa kushte, edhe pse Europa na ka bërë të vuajmë shumë. Ne kemi bindjen e plotë që një ditë do të martohemi.
Më në fund i ka lënë ca nga ato kotësirat gjatë viteve “që ju duam, po nuk jemi gati të flasim me ju”, tani po flasim. Kështu që është një hap më tej, siç thotë edhe Marta. Unë them që bazohet në martesë, ajo thotë bazohet në meritë.
Kështu që na duhet të meritojmë martesën dhe po punojmë për këtë.
Faleminderit!"/K.C/dritare.net

















