
Erion Braçe: Në Njësinë 5 parkimi është katastrofë. Hiqni vendet e blera në rrugë!
Dritare.net
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj praktikës së blerjes së vendeve të parkimit në rrugët publike, veçanërisht në Njësinë 5 dhe zonën e ish-Bllokut, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe abuzive.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Braçe shkruan:
“Parkimi është problem i madh në Tiranë, dhe akoma më i madh në Njësinë 5. Më çmend kjo praktika e vendeve të parkimit të blera në rrugë!”
Ai thekson se ndërsa blerja e parkimeve nën tokë në komplekset e banimit është e kuptueshme, privatizimi i hapësirave publike në rrugë për interesa të bizneseve apo institucioneve private është i papranueshëm.
“Nuk e pranoj ndaj nuk e kuptoj në botë blerjen e vendeve të parkimit në rrugë ku ka parkim publik! Është një pabarazi e madhe!”, shton Braçe.
Deputeti ngre shqetësimin se zyra të ndryshme, si studio arkitekture, zyrat e avokatëve, apo edhe restorante, përvetësojnë vende parkimi në rrugë pa logjikë funksionale, duke ia mohuar këtë të drejtë banorëve të zonës.
“Kjo histori duhet të ndryshojë. Është tërësisht abuzive. Hiqini këto vende parkimi! Kthejuni banorëve!” – përfundon ai thirrjen e tij publike.
Reagimi i Braçes vjen në një kohë kur problematika e parkimit në Tiranë është kthyer në një nga sfidat më të mëdha për qytetarët, veçanërisht në zonat e mbipopulluara dhe me fluks të lartë trafiku./L.F-dritare.net
View this post on Instagram

















