
Çfarë dëmesh solli stuhia që goditi vendin një ditë më parë!
Dritare.net
Një stuhi e fuqishme ere, shoqëruar me reshje të dendura shiu, goditi gjithë territorin shqiptar ditën e djeshme, duke shkaktuar dëme të shumta në disa qytete dhe rrethe.
Në qytetin bregdetar të Vlorës, situata ka nisur të normalizohet pas përmbytjeve në disa rrugë kryesore, përfshirë rrugën e Portit.
Një natë më parë, afër fshatit Xhyherinë në Vlorë, reshjet intensive të shiut shkaktuan çarjen e kanalit të ujërave të larta, duke rrezikuar përmbytjen e dy banesave dhe një objekti pularie.
Si pasojë e stuhisë së fortë, 23 persona u paraqitën në Spitalin e Traumës me lëndime të shkaktuara nga objekte të forta që rrëzoi era. Në disa rrugë në kryeqytet dhe rrethe, qarkullimi u bllokua për shkak të situatave të vështira në terren.
Edhe aeroporti i Rinasit u prek nga moti i keq, duke pezulluar për rreth 30 minuta operacionet e fluturimeve.
Një rast i veçantë ishte edhe trageti turistik nga Maqedonia e Veriut, i cili po udhëtonte nga Shën Naumi drejt Ohrit, dhe u kap papritur në befasi nga stuhia që përfshiu Juglindjen e Shqipërisë. Trageti u detyrua të afrohej pranë bregut shqiptar për t’u mbrojtur nga moti i keq.
Një tjetër incident i rëndë ndodhi në Portin e Vlorës, ku një marinar egjiptian u dëmtua rëndë në krah. 34-vjeçari M.E. po përpiqej të zgjidhte litarët e tragetit kur njëri prej tyre u këput aksidentalisht për shkak të erës së fortë, duke goditur marinari në krah. Ai u dërgua menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdes mjekësor.
Për më tepër, shkëputja e kabujve të energjisë elektrike nga era e fortë shkaktoi edhe një zjarr në shkurret dhe ferrat pranë Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë, situatë që u menaxhua nga autoritetet lokale.
Moti ka shkaktuar vështirësi në lëvizje dhe ndërprerje të shërbimeve në disa zona të vendit, duke nxitur autoritetet të paralajmërojnë qytetarët për kujdes dhe shmangie të udhëtimeve në rast se nuk janë të domosdoshme./E.P-dritare.net

















