Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë ndryshon me vizat drejt SHBA-së? Reagon Ambasada Amerikane në Tiranë

Çfarë ndryshon me vizat drejt SHBA-së? Reagon Ambasada

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit mbi politikën e emigracionit, duke sqaruar se Departamenti Amerikan i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të politikave dhe procedurave për përpunimin e vizave emigruese, në përputhje me prioritetet e administratës amerikane.

Sipas njoftimit, Presidenti Donald Trump ka theksuar se emigrantët që synojnë të jetojnë në SHBA duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë për sistemin e përfitimeve publike amerikane. Në këtë kuadër, Departamenti i Shtetit po shqyrton të gjitha rregulloret dhe udhëzimet për të garantuar që aplikantët nga vende të konsideruara me rrezik të lartë të mos përfitojnë ndihma sociale në SHBA.

Ambasada bën me dije se, duke filluar nga 21 janari 2026, do të pezullohet përkohësisht lëshimi i vizave emigruese për shtetasit e një liste vendesh, ku përfshihet edhe Shqipëria. Ky vendim prek vetëm vizat me qëllim emigrimi të përhershëm dhe nuk ndikon në vizat jo-emigruese, si ato turistike, studentore, biznesi apo vizitat familjare afatshkurtra.

Në listën e vendeve të përfshira në këtë rishikim janë mbi 70 shtete nga rajone të ndryshme të botës, çka sipas autoriteteve amerikane tregon se nuk bëhet fjalë për një masë të drejtuar specifikisht ndaj Shqipërisë, por për një politikë të përgjithshme në kuadër të reformimit të sistemit të emigracionit.

Ambasada Amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve të informohen vetëm nga burime zyrtare dhe të shmangin keqinterpretimet apo spekulimet, duke theksuar se çdo ndryshim i mëtejshëm do të komunikohet në mënyrë transparente./L.F-dritare.net