 
		                       Çfarë tha Erion Veliaj sot në Gjykatën Kushtetuese!
Dritare.net
 
Përpara Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj, paraqiti mbrojtjen e tij kundër vendimit për shkarkimin e tij nga detyra, duke e cilësuar atë si një akt antikushtetues dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve.
Duke iu drejtuar trupit gjykues, Veliaj theksoi se nuk ishte aty për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur mandatin që i ishte besuar nga 160,000 votues dhe themelet e republikës.
Në fjalën e tij, Veliaj përshkroi me detaje momentin kur, siç u shpreh ai, u "rrëmbye nga zyra" dhe u vendos në një regjim izolimi.
Ai argumentoi se i gjithë procesi ishte një përpjekje për të denigruar figurën e tij dhe për të heshtur zërin e një të zgjedhuri tre herë radhazi nga qytetarët e Tiranës.
"Ky nuk është thjesht një denigrim ndaj meje, por një përçmim ndaj votës, gjësë më të shenjtë që ka demokracia," deklaroi ai.
Momenti kulmor i fjalës së tij ishte dekonstruktimi i arsyes zyrtare për shkarkimin: "mospresenca në detyrë për më shumë se tre muaj". Veliaj e quajti këtë "fyerjen më të rëndë të jetës publike",
"Mospresenca ime nuk ka qenë zgjedhje. Pra, unë nuk zgjodha të vetërrëmbehem, të vetëizolohem dhe të vetëinternohem. Ishte pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti," argumentoi ai, duke shtuar se ishte e pakuptimtë të ndëshkohej për një gjendje të imponuar nga vetë organet shtetërore.
Veliaj paralajmëroi për precedentin e rrezikshëm që mund të krijojë ky rast. Ai pyeti retorikisht nëse Shqipëria do të legjitimonte idenë që "çdo funksionar i zgjedhur mund të largohet nga detyra përmes një arrestimi të përkohshëm, pa vendim fajësie, duke i marrë popullit mandatin". Sipas tij, një zhvillim i tillë do ta zhvishte nga kuptimi parimin e prezumimit të pafajësisë dhe do ta shndërronte shtetin e së drejtës në një "shtet të paragjykimit".
Në fund Veliaj i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të veprojë si "trupi ndërmjetës midis popullit dhe pushtetit", duke e mbrojtur kushtetutën kur vullneti politik kërkon të zëvendësojë ligjin. "Kjo nuk është demokraci, kjo është përmbysje e demokracisë," përfundoi ai, duke kërkuar "drejtësi kushtetuese" dhe rikthimin e shtetit në binarët e ligjit./E.P-dritare.net
 
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                       