Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Forbes: Shqipëria mes 6 vendeve të NATO-s që mbështesin sulmet ndaj Iranit

Forbes: Shqipëria mes 6 vendeve të NATO-s që mbështesin

Shqipëria renditet mes gjashtë vendeve të vetme anëtare të NATO-s që kanë dalë hapur në mbështetje të sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, sipas një analize të publikuar nga Forbes.

Në një kohë kur pjesa më e madhe e aleancës është treguar e rezervuar dhe ka refuzuar të përfshihet në operacion, Shqipëria, së bashku me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Lituaninë, Letoninë dhe Çekinë, kanë shprehur publikisht mbështetje për veprimet ushtarake.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria mbështet Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake ndaj Izraelit, duke dënuar njëkohësisht agresionet kibernetike të Iranit ndaj vendit. Kujtojmë se Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2022 pas një sulmi të madh kibernetik ndaj institucioneve shtetërore.

Mbështetje për operacionin ka ardhur edhe nga liderë të tjerë rajonalë dhe europianë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi ndërhyrjen si një mundësi për “lirinë e popullit iranian”, ndërsa autoritetet në Maqedoninë e Veriut theksuan qëndresën përkrah aleatëve amerikanë ndaj kërcënimeve destabilizuese në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, vende si Lituania dhe Letonia argumentojnë se ndërhyrja është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të Iranit ndër vite, veçanërisht në lidhje me programin bërthamor. Edhe Republika Çeke ka mbështetur operacionin, duke e konsideruar programin bërthamor iranian dhe mbështetjen për terrorizmin si kërcënim për Evropën.

Megjithatë, brenda NATO-s nuk ka një qëndrim të unifikuar. Shumica e vendeve anëtare kanë shmangur mbështetjen direkte, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka theksuar se aleanca si e tillë nuk do të përfshihet në konflikt, duke lënë hapësirë vetëm për veprime individuale të shteteve.


Situata mbetet e tensionuar, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj aleatëve për mbështetje më të madhe, duke paralajmëruar edhe ndryshime në angazhimin amerikan për mbrojtjen e rrugëve kyçe të naftës si Ngushtica e Hormuzit./K.C/dritare.net