
Gjykata australiane pushon çështjen ndaj Belina Pupës
Dritare.net
Gjykata e Magjistraturës në Adelaide ka vendosur të pushojë njërën nga akuzat ndaj terapistes dhe influencueses shqiptare, Belina Pupa, lidhur me kultivimin e një sasie droge të kontrolluar, informon dritare.net.
Sipas dokumenteve gjyqësore, informon dritare.net akuza për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një pronë në Ascot Park nuk do të vazhdohet më, duke nënkuptuar se nuk ka asnjë vendim për fajësi apo dënim në këtë drejtim.
Megjithatë, çështja e dytë, që lidhet me ndërhyrjen e paautorizuar në furnizimin elektrik, mbetet ende në proces dhe është shtyrë për seancë më 25 nëntor 2025, në Gjykatën e Adelaide.
Sipas dokumenteve, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë periudhës 1 janar – 4 prill 2025.
Në një reagim për Dritare TV, asokohe Belina Pupa tha se çështja lidhet me një pronë të dhënë me qira, por që është në emrin e saj, duke kërkuar që të pritet mbyllja e procesit gjyqësor për të pasur qartësi të plotë.
“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është me emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet, për arsye hetimesh në radhë të parë por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të përçudnuar,” – tha znj. Pupa në reagimin e saj për Dritare TV./L.F-dritare.net

















