Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Goditet sërish organizata e Suel Çelës, i sekuestrohen 4 mln € pasuri në Itali!

Goditet sërish organizata e Suel Çelës, i sekuestrohen 4 mln

4 milionë euro pasuri të organizatës kriminale të Suel Çelës janë sekuestruar nga SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë e Veronës, të përftuara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës. Bëhet fjalë për dy ndërtesa në Verona, njëra prej të cilave me vlerë 3 mln euro të përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane), një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e këtyre zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit) si edhe një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit me kuota 100% në Itali.

Nga hetimet e kryera nga SPAK dhe Prokuroria e Veronës, u konstatua se këto pasuri kanë ardhur nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga Amerika e Jugut drejt tregjeve evropiane. Sekuestrimi u ekzekutua sot më 3 Korrik me vendim të gjykatës së Veronës si masë preventive në kuadër të hetimeve. Ndërkohë po sot, pritet që kreu i SPAK, Altin Dumani të zhvillojë një komunikim me video me kryeprokurorin e Veronës, Raffaele Tito për të ndarë më shumë informacione lidhur me këtë operacion.

Si funksiononte skema?

Paratë dërgoheshin nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të Suel Çelës dhe vëllait të tij Marjo Çela, tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali përmes bankës. Kompania në Verona përdorej për të pastruar paratë, investoheshin në ndërtim, në rikonstruksionin e ndërtesave dhe më pas jepeshin me qira. Report TV mëson se firma shqiptare që bënte transferimin e parave vepron në sektorin e fruta perimeve.

Sipas SPAK, me qëllim pengimin e gjurmimit të origjinës së paligjshme të këtyre parave, në Shqipëri kryheshin edhe transaksione të dyshimta. Në këtë mënyrë, thotë SPAK, “organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.”

Gjithashtu mësohet se janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike, dhe që konsiderohen si njerëz të besuar të dy vëllezërve Çela. SPAK thotë se kontrolle janë kryer edhe në subjekte të tjera dhe te ndihmësit e tyre italianë.

Suel Çela është në kërkim ndërkombëtar në kuadër të një urdhri të lëshuar nga SPAK, ndërkohë që i vëllai ndodhet aktualisht në një burg në Belgjikë. Ai u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Verona pas një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet belge si i përfshirë në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.

Ndaj Marjo Çelës edhe GJKKO ka lëshuar një vendim për veprat penale për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, trafik ndërkombëtar droge si dhe pastrim parash.

SPAK goditi organizatën e Suel Çelës në nëntor të vitit të kaluar. Grupi me bazë në Elbasan, kryente trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe shpërndarjen e saj në vende të Bashkimit Evropian. Banda kriminale, e cila synim kryesor kishte kontrollin e territorit kryesisht në Shqipërinë e Mesme, kishte depërtuar në sistemin e drejtësisë, në polici dhe në media, për të favorizuar anëtarët e organizatës kriminale, për të rënduar pozitën e kundërshtarëve, dhe për të goditur deri në vrasje, pjesëtarët e grupeve rivale të fisit Çopja. U lëshuan 21 masa sigurie, në mesin e të cilëve edhe kreu Suel Çela. SPAK zbardhi gjithashtu edhe një sërë ngjarjesh kriminale.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Veronës kryen një operacion të përbashkët kundër një organizatë kriminale nga Elbasani, e cila vepronte në Verona të Italisë dhe ishte përgjegjëse për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Guardia di Finanza seksioni i hetuesve financiarë të Veronës, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë të një shoqërie tregtare, të cilat kalonin vlerën e 4 milionë eurove.

Sekuestrimi u ekzekutua sot më 3 korrik pas vendimit të Gjykatës së Veronës, si masë preventive, në kuadër të vijueshmërisë së hetimeve.

Pasuritë e sekuestruara janë:

Një ndërtesë, pasuri e paluajtshme në Nogarole Rocca (Verona)

Një ndërtesë, në vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane) (Verona)

Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit)

Një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.

Hetimet konstatuan se këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane. Vëmendja u përqëndrua tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash, përmes sistemit bankar. Ka rezultuar se paratë vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të dy vëllëzerve shqiptarë dhe këto shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat, më pas jepeshin me qira.

Njëri prej dy vëllezëve është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në një burg në Belgjikë. Ky i fundit u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.

Për këtë të fundit ka gjithashtu një vendim të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas hetimeve të kryera nga SPAK, për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”, “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Falë skuadrës së përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Veronës dhe SPAK u konstatua se përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave, të kryera nga jashtë vendit përmes një shoqërie tregtare në Shqipëri, në pronësi të organizatës kriminale.

Në Shqipëri, janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave dhe në këtë mënyrë organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.

Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike. Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale. Kontrolle janë kryer edhe ndaj subjekteve kryesore dhe ndihmësve të tyre italianë, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme.

Procedimi penal ndodhet në fazën e hetimeve paraprake.

Për Prokurorinë e Veronës ky është rasti i parë i një organizate kriminale shqiptare, e cila investon në pasuri të paluajtshme në territorin e një shteti të Bashkimit Europian,në këtë rast, Italisë.

Operacioni i kryer konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar mes SPAK dhe autoriteteve italiane, në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.