
Ina Majko: Do të më votojnë edhe ata që nuk janë pjesë e komunitetit rom
Dritare.net
Ina Majko, kandidate për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, është e para vajzë nga komuniteti rom që garon për një vend në Parlamentin e Shqipërisë.
Në një intervistë në emisionin Dekalog me gazetarin Roland Qafoku në DritareTV, ajo ndau përvojat e saj gjatë fushatës dhe pritshmërinë për zgjedhjet e 11 majit.
Majko theksoi se qytetarët joromë në Delvinë kanë tejkaluar paragjykimet ndaj komunitetit rom. Ajo rrëfeu një moment prekës kur një burrë i moshuar i tha: “Bravo, je krenaria e vendit tonë.”
“Kjo më bëri të ndihesha shumë mirë. Kjo tregon se njerëzit po na shohin përtej ngjyrës së lëkurës dhe paragjykimeve.”-u shpreh Majko
Majko shprehu besimin se do të marrë mbështetje edhe nga qytetarët që nuk janë pjesë e komunitetit rom.
“Gjatë takimeve në terren, shumë njerëz më kanë shprehur mbështetjen e tyre,” tha ajo. “Besoj se do të më votojnë edhe ata që nuk janë pjesë e komunitetit tim.”
Ajo iu përgjigj kritikave në rrjetet sociale që pretendojnë se Partia Socialiste po e përdor kandidaturën e saj.
“Nëse është kështu, pse nuk më mbështetën ata më parë, ashtu siç bëri Edi Rama?”
Majko theksoi rëndësinë e përfaqësimit të komunitetit rom në politikë dhe shpreson që suksesi i saj të shërbejë si frymëzim për të tjerët.
“Nëse unë arrij të fitoj respektin e të gjithë shqiptarëve, do të jetë një hap përpara për komunitetin tim,” tha ajo.
Pjesë nga intervista:
“Qytetarët jo-romë të Delvinës kanë arritur të shembin në mendjet e tyre çdo paragjykim ndaj komunitetit rom. Një burrë i moshuar, kur mori vesh se po kandidoja, erdhi dhe më tha: “Bravo, je krenaria e vendit tonë.” Jam ndjerë shumë mirë. Ata kanë arritur të shohin mua dhe familjen time pa ngjyrat e racizmit, thjesht ashtu siç jemi. E them me bindje: nëse qytetarët e Delvinës kanë arritur ta bëjnë këtë, çdo qytetar në Shqipëri mund ta bëjë.
Nëse unë arrij të realizoj misionin tim të fitoj respektin e të gjithë shqiptarëve atëherë mund të hapim rrugën që në politikë dhe në çdo fushë të kemi gjithnjë e më shumë përfaqësues nga komuniteti rom.
Unë e them gjithmonë që kur Skënderbeu erdhi në Krujë, romët e pritën me dajre. Prandaj besoj se do të më votojnë edhe ata që nuk janë pjesë e komunitetit tim, sepse gjatë takimeve në terren shumë njerëz më kanë konfirmuar mbështetjen e tyre dhe më kanë shprehur simpati.
Ka edhe komente në rrjetet sociale nga kundërshtarë që thonë se Partia Socialiste po më përdor. Por nëse është kështu, ku ishin ata kur unë kisha nevojë për mbështetje? Pse nuk më mbështetën ata, ashtu siç bëri Edi Rama, që të më “përdornin” ata?
Për më shumë, mund të ndiqni intervistën e plotë të Ina Majkos në emisionin Dekalog në DritareTV./E.P-dritare.net

















