Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ina Majko merr postin e rëndësishëm në qeveri

Ina Majko merr postin e rëndësishëm në qeveri

Kryeministri Edi Rama ka emëruar Ina Majkon në postin e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Vendimi është miratuar sot nga Këshilli i Ministrave dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave’, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Znj. Ina Majko emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren Zyrtare’,” thuhet në dokumentin zyrtar.

Ina Majko ishte një nga emrat që garuan në zgjedhjet parlamentare të 2025-s, por nuk arriti të sigurojë një mandat si deputete. Megjithatë, Kryeministri Rama ka zgjedhur ta përfshijë në kabinetin qeveritar përmes emërimit të saj në rolin e zëvendësministres.

Ky vendim shihet si pjesë e lëvizjeve të fundit në kabinetin qeveritar pas nisjes së mandatit të katërt të Partisë Socialiste dhe ndryshimeve në disa poste kyçe të ministrive.


Me Inën, romen e mrekullueshme jemi njohur për herë të parë në Dritare.net që në 2017-ën, në një intervistë të bukur.

Pastaj Ina erdhi sërish në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv në 2023-shin për të treguar si ka ndryshuar jetë e saj që nga 2017-ta, pas intervistës në Dritare.net.

E ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv, Ina ka falënderuar gazetaren Rudina Xhunga që i dha zë, atëherë kur romët nuk kishin zë. Tani ata kanë zë Inën, që nuk është dorëzuar kurrë dhe korr vetëm suksese, për vete dhe komunitetin e saj.

"Ishte kënaqësi për mua të kthehem te DritareTv. Kur unë kam qenë studente, ishte Rudina Xhunga ajo që donte për 8 prill të më jepte zë në Dritare.net, kur ne romët nuk kishim zë. Po ashtu edhe më vonë kur ndërmora nismën që të drejtoja një emision në radio “Romët krenarë”, te Radio Tirana. Hapësirën për të folur për këtë projekt kaq të madh për mua e gjeta te DritareTv dhe te Rudina Xhunga. Kështu që u jam mirënjohëse. DritareTv ka qenë dritarja ime e parë që më është hapur që unë të them mendimet dhe të përcjell mesazhet e mia. Ndaj ju falënderoj!", u shpreh Ina Majko në DritareTv./K.C/dritare.net