Integrimi në BE/ Rama: Së shpejti marrim një lajm të mirë!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se Shqipëria pritet të marrë së shpejti një tjetër lajm pozitiv në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimi Evropian, duke lënë të kuptohet se Brukseli mund të japë miratimin për raportin IBAR dhe avancimin e mëtejshëm të negociatave.
Gjatë podkastit të tij të përjavshëm “Flasim”, kreu i qeverisë u ndal te votimi në Kuvend i rezolutës së lidhur me anëtarësimin e vendit në BE, ku opozita iu bashkua mazhorancës. Rama e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv dhe një sinjal se procesi i integrimit europian është i pakthyeshëm.
Ai theksoi se bashkimi i opozitës në këtë votim tregon indirekt se pretendimet për bllokim të negociatave nuk qëndrojnë, ndërsa shtoi se vendi po hyn në një fazë të re të procesit të negociatave me hapjen dhe mbylljen graduale të kapitujve me BE-në.
"Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur",- tha Rama./K.C/dritare.net