
Ish-ministri Malaj: Kompania e lidhur me ish-deputet mban të zaptuar rrugën në Tiranë
Dritare.net
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka denoncuar publikisht një rast të zaptimit të hapësirës publike në zonën e “Qytetit Studenti”, vetëm pak orë pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për lirimin e trotuareve dhe rrugëve publike.
Në një postim në Facebook, Malaj ka ndarë disa foto nga rruga me kalldrëm që lidh “Venecian” me “Qytetin Studenti”, ku, sipas tij, një kompani private e lidhur me një ish-deputet të Partisë Demokratike ka zaptuar prej pesë vitesh 40% të trotuarit dhe sipërfaqes rrugore. Ai theksoi se kjo situatë është e papranueshme dhe e pandodhur në një vend demokratik.
“Prej pesë vitesh, trotuari dhe rruga publike janë bllokuar, ndërkohë që qytetarët gjobiten pa mëshirë nga policia, ndërsa uzurpimi i hapësirës publike mbrohet me heshtje apo mbështetje nga lart,” shkruan Malaj.
Ai kritikoi ashpër praktikat që i cilësoi si “aksione komuniste të goditjeve të përqendruara”, duke theksuar se zbatimi i ligjit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i drejtë për të gjithë.
Postimi i Malajt vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri Rama paralajmëroi masa ndëshkuese ndaj çdo subjekti që ka zaptuar hapësira publike, duke vendosur një afat 48-orësh për lirimin e tyre.
Ish-ministri kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe ndërhyrje për të zhbllokuar rrugën dhe për të ndëshkuar abuzuesit.
“Zbatoni ligjin! Zhbllokoni rrugën! Ndëshkoni abuzuesit, jo banorët!”, përfundon reagimin e tij Arben Malaj./L.F-dritare.net

















