
PD akuzon KQZ-në për mungesë transparence, i drejtohet edhe OSBE-ODIHR-it
Dritare.net
Partia Demokratike dhe koalicioni PD-ADSHM i kanë dërguar një letër zyrtare kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, duke ngritur shqetësime për atë që e konsiderojnë mungesë transparence në lidhje me procesin zgjedhor.
Në qendër të kërkesës janë pamjet filmike të qendrave të votimit dhe informacioni mbi mënyrën e kthimit të zarfeve të votave të diasporës. Sipas PD-së, këto pamje janë kërkuar në mënyrë të përsëritur nga ana e tyre, por nuk janë vënë ende në dispozicion. Partia kërkon sqarime edhe mbi faktin nëse kthimi i zarfeve të votuesve nga jashtë është bërë në mënyrë të rregullt përmes shërbimit të DHL-së, apo janë përdorur forma të tjera të pakontrolluara.
Letra mban datën 4 korrik dhe përveç KQZ-së, me përmbajtjen e saj është vënë në dijeni edhe faktori ndërkombëtar, konkretisht misioni i vëzhgimit të OSBE-ODIHR.
PD ka shprehur më herët rezerva për mënyrën e administrimit të votës së diasporës dhe procesit të numërimit elektronik, duke e cilësuar atë të munguar në transparencë dhe besueshmëri. Kjo letër vjen në vijim të atyre pretendimeve dhe kërkesave për sqarime nga institucionet zgjedhore./K.C/dritare.net

















