
Katy Perry dhe Orlando Bloom kanë zyrtarizuar ndarjen e tyre pas një lidhjeje të gjatë që nisi në vitin 2016. Çifti, i fejuar që nga viti 2019, ka një vajzë katërvjeçare, Daisy Dove.
Në një deklaratë të përbashkët për mediat amerikane, ata sqaruan se “kanë qenë duke ndryshuar marrëdhënien e tyre gjatë muajve të fundit, për t’u përqendruar tek bashkëprindërimi”. Sipas tyre, prioriteti mbetet rritja e vajzës në një mjedis me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë.
Lajmi vjen mes interesit të shtuar të publikut për marrëdhënien e tyre dhe pas një viti të vështirë për këngëtaren. Albumi i saj i fundit 143 dhe kënga Woman’s World nuk patën suksesin e pritur, ndërsa pjesëmarrja e saj në një udhëtim hapësinor me Blue Origin u shoqërua me kritika.
Perry, e njohur për hitet Roar, Firework dhe California Gurls, ishte më parë e martuar me Russell Brand. Bloom, nga ana tjetër, ka një djalë 14-vjeçar me modelen Miranda Kerr dhe është i njohur për rolet në Pirates of the Caribbean dhe The Lord of the Rings./K.C/dritare.net

















