Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kush vjen tani në Bashkinë e Vlorës? Jo thjesht të tjerë!

Kush vjen tani në Bashkinë e Vlorës? Jo thjesht të

Pas dorëheqjeve masive të 21 drejtuesve të institucioneve në Bashkinë e Vlorës, pas një ndërhyrjeje të fortë nga kryeministri Edi Rama, tani pyetja që tundet në korridoret e bashkisë është: “Kush vjen tani?”

Janë të shumtë ata që presin. Janë më shumë ata që llogarisin, ndërsa jo pak kanë nisur të trokasim në dyer për të zënë vendet bosh.

Por kushdo që mendon se thjesht do të “zëvendësojë” një vend pune të mbetur bosh, gabon rëndë. Vendi i liruar nuk është vetëm një karrige, është një përgjegjësi, dhe këtë herë, më shumë se kurrë, do të jetë nën vëzhgim.

Sepse kjo nuk është thjesht një valë emërimesh. Është një sinjal politik, një alarm për performancën, një rifreskim i domosdoshëm për një qytet turistik si Vlora, që nuk mund të udhëhiqet nga rutinë e neglizhencë.

Çfarë duhet të kenë parasysh ata që vijnë?
1. Nuk mjafton të jesh militant, duhet të jesh kontribues. Emërimi nuk është shpërblim politik, por një detyrë publike që matet çdo ditë me rezultat.
2. Sezoni turistik nuk është për të bërë foto me rërë dhe diell, por për të zgjidhur çdo ditë kriza reale: ujë të ndotur, rrugë të bllokuara, ndotje urbane, menaxhim zjarresh dhe emergjencash.
3. Shërbimi për qytetarët është më i rëndësishëm se shërbimi për partinë. Kush nuk e kupton këtë, më mirë të mos aplikojë fare.
4. Kushdo që vjen, duhet të dijë të punojë me transparencë, të raportojë, të dëgjojë, dhe të kuptojë që qyteti nuk është pronë personale.
5. Vlora ka sy. Ka media. Ka qytetarë që nuk heshtin më. Gabimet nuk mbulohen dot. Përkundrazi, publikohen dhe analizohen.

Një këshillë për ata që po bëjnë gati CV-të:

Mos mendoni si t’i bëni përshtypje kryetarit të bashkisë apo partisë. Mendoni si t’i bëni më mirë punët për qytetarët. Sepse kjo është hera e fundit që “ndryshimet” pranohen pa llogari të forta publike.

Qyteti ka nevojë për menaxherë të zotë, profesionistë të përkushtuar, jo për të tjerë që mbajnë karriget ngrohtë.

Kush vjen tani, duhet të dijë se do të matet me një metër të ri. Dhe se në Vlorë, më shumë se diku tjetër, dritaret janë gjithmonë hapur./ dritare.net