Kancelari Merz propozon integrim gradual në BE për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor
Dritare.net

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar një model të ri integrimi gradual në Bashkimin Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, si dhe për Moldavinë dhe Ukrainën.
Në një letër drejtuar Ursula von der Leyen, Antonio Costa dhe Nikos Christodoulides, Merz kërkon “zgjidhje inovative” për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Edhe pse fokusi kryesor i propozimit është Ukraina, kancelari gjerman ndalet veçanërisht edhe te Ballkani Perëndimor, duke theksuar se vendet e rajonit kanë pritur prej vitesh anëtarësimin e plotë në BE. Për këtë arsye, ai sugjeron hapa të ndërmjetëm që do t’i afronin vendet kandidate me strukturat europiane para anëtarësimit zyrtar.
Sipas propozimit, vendet mund të përfitojnë qasje më të privilegjuar në tregun e brendshëm europian, lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së, si dhe status vëzhguesi në strukturat përkatëse europiane. Gjithashtu, Merz propozon zhvillimin e seancave të përbashkëta me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor për çështje që lidhen drejtpërdrejt me rajonin.
Në letër theksohet se integrimi gradual mund të ndërtohet në faza, ku përfitimet do të lidhen me progresin në reforma dhe zbatimin e legjislacionit europian. Sipas kancelarit gjerman, kjo do të krijonte një dinamikë të re për procesin e zgjerimit dhe do të nxiste reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian./L.F-dritare.net