
Katër oficerët që u dogjën të gjallë në Picar, flet i mbijetuari i tragjedisë së ‘97
Dritare.net
Në një rrëfim tronditës, ish-koloneli i Forcave të Armatosura, Vladimir Mema, sot në pension, ka ndarë detaje të patreguara më parë mbi shpërthimin tragjik që ndodhi në Picar të Gjirokastrës gjatë trazirave të vitit 1997. Sipas tij, kjo ishte një nga ditët më të errëta në historinë e ushtrisë shqiptare.
“Ishte data 8 mars 1997, kur depot e armatimit në Picar u përfshinë nga flakët dhe shpërthimet masive. Unë vetë ndodhesha brenda repartit, por i shpëtova vdekjes. Brenda depos, 14 oficerë u plagosën rëndë, 4 humbën jetën në vend. Vladimir Çumaku, Bardhyl Këlliçi, Albert Lela dhe Ferdinand Dosti u shpallën dëshmorë të atdheut.
Sipas Mema, nuk është qartësuar ende nëse shpërthimi ishte aksidental apo i qëllimshëm.
“Flaka u mor nga një makinë e parkuar përballë depos, që dyshohet se mund të jetë vendosur enkas. Ekspertët kanë dhënë disa versione teknike, por ngjarja mbetet e errët. Ajo që dimë me siguri është se aty ndodheshin predha dhe municione të kalibrit të lartë, që në momentin e shpërthimit shkaktuan katastrofë,” – thotë ai.
Koloneli ngre edhe alarmin për mungesën e përgjegjësisë shtetërore në menaxhimin e situatës. Ai thekson se shumë reparte ushtarake u lanë në mëshirë të fatit dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për humbjet njerëzore dhe materiale.
Mema përmend me trishtim se shpërthimi në Picar është simbol i rrënimit të ushtrisë shqiptare gjatë atyre muajve. “Armatimi ynë vlente 130 miliardë dollarë, ndërsa municionet kapnin vlerën e 60 miliardëve të tjera. Të gjitha u grabitën, u dogjën, u zhdukën. Dhe asnjë s’u përgjigj për këtë tragjedi kombëtare,” – përfundon koloneli Mema./L.F-dritare.net

















